Jamambër Malltezi mundet që në terma juridike të mos jetë hiç për burg lidhur me aferën “Partizani”, madje qelibar, siç pretendon vjehrri i tij ish-kryeministër, por ja kjo është Shqipëria që ka udhëhequr vjehrri i tij, i cili duke baltosur pa pushim prej më shumë se tre dekadash këdo e gjithçka tej vetes, ka bërë pis dhe veten apo njerëzit e tij. Nëse ai vërtet do e kishte me merak të madh moralin në politikë, të qënit qelibar, nuk do jua kishte këshilluar fëmijëve apo dhëndërit që të jepeshin shumë pas parasë; do i kishte këshilluar të sakrifikonin ambicien krejt të natyrshme njerëzore për pasuri, duke e ndërruar me një jetë të përkorë dhe mundësisht larg politikës. Sepse, siç dhëndëri e siç i biri, nuk i kanë ndenjur anash politikës. I pari shumë më tepër se si i dyti, duke e ekspozuar veten para opinionit në konfondim me emrin e Sali Berishës. Së këndejmi, iu është dashur të përgatiten për ditën që dhe atyre t’u trokasë drejtësia në shtëpi, mjafton vetëm si shpagim i akuzave pa cak që lëshon papushim njeriu i rëndësishëm i tyre. Ne e dimë fort mirë, se nëse Jamambër Malltezi do kishte qenë socialist ose i afërt me socialistët, si dhe pronën ta kish marrë e investuar nën qeverisjes socialiste, mjerë shpirti i tij çfarë hiqte.

Vlen kjo dhe për pushtetin aktual. Nëse vendos të meresh me politikë në Shqipëri, rishih stilin e jetës që bën, ti ose të afërmit e tu. Në kushte Shqipërie kërkohet të sakrifikosh. Sakrificë në këtë rast është vetëprivimi nga ajo që do bëje në kushte normale.

Le të kujtojmë se në vitin 1997, teksa Berisha vizatohej zi e sterr, askush nuk e akuzonte personalisht si të korruptuar. E kundërta madje, prej jetës së thjeshtë te banesa dy dhoma e një kuzhinë te Rruga Fortuzi, askush s’ja vinte në dyshim ndershmërinë personale e familjare.

Ngjashëm deri diku dhe me Nanon. Fakti se askush nga familja e tij nuk ngatërrohej në politikë apo korrte para diku dhe me diçka, ia ruajti deri diku fytyrën në kuptimin e ngushtë fjalës.

Rama nga ana tjetër nuk i është përmbajtur tundimit për një vilë allasoj në Surrel, por do qe më mirë për të një banesë jopompoze në kushtet kur i duhet të sakrifikojë fiksimet e tij personale për kryefiksimin e madh të të bërit të Shqipërisë, siç pretendon.

Për Metën s’ka ç’thuhet pasi paraja është shenja e tij zoodiakale në politikë, së bashku me të shoqen, me një stil jete fyes për çdo njeri të ndershëm e të aftë në këtë vend.

Kështu, Abi Malltezi po paguan dhe atë çfarë do ishte dashur t’ja kishte këshilluar vjehrrit në vite: hiqe akuzën nga goja, zëvëndësoje me ndershmërinë, aftësinë e urtësinë. Ndërsa vetes do i kish këshilluar përkorësinë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re