Shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka lënë izolimin disaditor dhe njofton rikthimin në detyrë përmes një statusi në facebook. Ai thotë se gjatë këtyre ditëve ka pasur një dëshirë të fortë për ta mposhtur covid 19 dhe ia ka dalë.

Por, nuk lë pa dhënë një mesazh për të gjithë, teksa u kërkon durim dhe vetëm durim dhe padyshim bashkëpunim për armikun e padukshëm që po bën kërdinë në të gjithë botën.

Brataj tregon se pret edhe testin e dytë, që shpreson të jetë negative dhe se më shumë se vetë ai, koronavirusin e mposhti me dëshirë e vullnet dhe terapinë të gjithëve.

Ja statusi i plotë i Skënder Bratajt:

Një falenderim të gjithë JUVE, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falenderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit. Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19.

GATI, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh.

Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: NUK BËHET, pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale! Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit.

NUK KA GJË QË NUK BËHET, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re