Trualli i Teatrit Kombëtar i kalon Bashkisë Tiranë me një vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimin në fjalë, Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim, ndërsa ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur disa javë më parë të shfuqizojë vendimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ta kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës pronën e Teatrit Kombëtar, shembja e të cilit acaroi marrëdhëniet e artdashësve me autoritetet shqiptare dhe pati jehonë përtej Shqipërisë për mënyrën se si ishte zbatuar një veprim i tillë.
Gjykata Kushtetuese e vlerësoi veprimin e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës si antikushtetues dhe kërkoi pezullimin e menjëhershëm të ligjit dhe vendimeve përcjellëse rreth ndërtimit të godinës së re të teatrit, sipas njoftimit të saj.
Gjykata Kushtetuese theksoi se kishte shfuqizuar edhe ligji për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Ky ligj, i cili ka paraparë procedurë të veçantë për vlerësimin, negociimin dhe kontratën për objektin e ri të Teatrit kombëtar, është gjetur në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata Kushtutuese po ashtu ka gjetur shkelje të Kushtetutës edhe në rrëzimin e kërkesës për të shfuqizuar vendimin rreth shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kalimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese zbardhi disa ditë më parë vendimin që mori më 2 korrik për rrëzimin ligjore për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar ndërkohë që nuk e shpalli antikushtetuese shembjen e teatrit, duke mos arritur një shumicë prej 5 votash. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin nr. 37/2018, për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private për projektimin dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ligji është miratuar në 5 korrik 2018. U kthye për rishqyrtim nga Meta në 27 korrik 2018, por u miratua sërish pa ndryshime nga Kuvendi.
Në njoftimin e sotëm Kushtetuesja thotë se ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetues.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe vendimin e qeverisë nr. 377 datë 08.05.2020, për kalimin e teatrit dhe truallit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. VKM-ja është rrjedhojë e ligjit për ndërtimin e teatrit të ri. Sipas gjykatës, VKM-ja shkel parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Presidenca pati kërkuar edhe rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës 50/2020, për shembjen e Teatrit. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi nuk votuar 5 anëtarë pro saj, që është edhe kuorumi minimal.
Gjykata vëren se në momentin e miratimit të ligjit nr. 37/2018 vënia në dispozicion e sipërfaqes prej 2.100 m2 në pronësi të Bashkisë së Tiranës, nuk është nënshtruar për diskutim paraprak në Këshillin Bashkiak Tiranë. Ligjvënësi edhe pse ka qenë në dijeni se një pjesë e pronës shtetërore mbi të cilën do realizohej projekti i zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar ka qenë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, ka anashkaluar nenin 133, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës, duke ndërhyrë në këtë mënyrë në kompetencat e këtyre organeve vendore, në kundërshtim me parimet e decentralizimit, qeverisjes vendore dhe ndarjes e balancimit të pushteteve.
Sa i përket kërkësave për pezullim Gjykata shprehet se duke që shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte fakt tashmë ligji nuk plotëson as karakteristikën e menjëhershmërisë, as të parandalimit të pasojës së rëndë dhe të pariparueshme, pasi nëse do të parandalohej pasoja e rëndë.
Gjykata vlerëson se trashëgimia kulturore është pjesë e trashëgimisë së popullit, si dhe përbën kujtesën e prekshme dhe të paprekshme të asaj që njeriu ka krijuar (dhe vazhdon të krijojë) për pasardhësit e tij. Gjithashtu, ajo mund të quhet edhe dëshmi materiale që ka vlerën e civilizimit dhe bën pjesë në trashëgiminë kombëtare të një shteti, duke reflektuar jetën e komunitetit, historinë dhe identitetin e tij, si dhe lidhjen e së shkuarës me të tashmen e të ardhmen, si dhe konsiston në manifestime të jetës njerëzore, që dëshmojnë për vlerat, besimet, historinë dhe traditat e vendit dhe u japin qytetarëve ndjesinë e përkatësisë në një popull, që lidhet më pas me identitetin kombëtar.
Vendimi thotë se nuk është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese të analizojë nëse Teatri Kombëtar është apo jo vlerë kulturore kombëtare por ky institucion analizon procedurat.
“VKB-ja nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës, pasi referuar ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar (ligji nr. 49/2012), Kodit të Procedurave Administrative, si dhe jurisprudencës së kësaj Gjykate, ky është një akt me natyrë individuale dhe jo një akt normativ i përgjithshëm.”, thuhet në intepretimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata vlerëson se ligji nr. 37/2018 është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar.
Për të parë vendimin e plotë kliko KËTU!
…
/faxweb
