Kryeministri britanik Boris Johnson, duke folur në konferencën e Konservatorëve Skocezë në Aberdeen këtë të premte, tha se është “më i bindur se kurrë” se Vladimir Putin do të dështojë në Ukrainë.

“Ai do të dështojë! Sepse në sipërmarrjen e tij katastrofike në Ukrainë ai nënvlerësoi fatalisht heroizmin dhe vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar. Ai e nënvlerësoi unitetin perëndimor. Dhe ndër të tjera, meqë ra fjala, ai nënvlerësoi angazhimin pasionant të njerëzve në këtë vend për të ndihmuar”, tha Johnson.

Kryeministri britanik shtoi se më shumë armë mbrojtëse do të sigurohen për të ndihmuar Ukrainën kundër “bombardimeve të pamëshirshme”.

Teksa kryeministri aktual i Britanisë është përqendruar në mbështetjen ndaj Ukrainës, një nga paraardhësit e tij është angazhuar në terren në dhënien e ndihmave humanitare ndaj ukrainasve. David Cameron, ka udhëtuar me një kamion me furnizime ndihma për refugjatët ukrainas në Poloni, për t’i dorëzuar ato në Kryqin e Kuq. Ndihmat përfshijnë veshje, pelena dhe medikamente të ndihmës së parë, janë pjesë e projektit ushqimor për komunitetin, Chippy Larder, në të cilin ish-kryeministri është vullnetar prej dy vitesh.

Më herët, ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar mirëpriti të gjithë mbështetjen e ofruar nga populli britanik, por tha se “paratë do të gjenin vend më mirë” sesa sendet e mëdha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re