Siç u dha lajm, FIFA do hetojë dyshen shqiptare të Zvicrës Xhaka – Shaqiri, të cilët kanë zemëruar serbët me shqiponjën e tyre të realizuar me gishta, përgjatë ekstazës në realizimin e dy golave në portën e Serbisë, mbrëmjen e së premtes.

Edhe njëherë, serbët treguan komplekset e tyre nacionale duke u marrë me shqiponjën e shqiptarëve, e cila, siç dihet tashmë, realizohet në shumë rrethana, pa qenë e lidhur direkt me ta. Ndërkohë që dhe fillesat e këtij simboli nacionalist nuk kanë asfare lidhje me ta. Eshtë ndryshe nëse edhe njëherë do shfaqej te hunda e tyre ai flamuri naiv i Ballistit. Po, ky do ishte një provokim. Pse jo, edhe i ndëshkueshëm. Sepse ai është një precedent që ka të bërë direkt me serbët. Vërtet një “provokacije”. Ndërsa shqiponja ka tjetër histori, që nuk dihet nëse hetimet e FIFA-s do mund t’ja gjejnë rrënjët.

Shqiponja nisi të shfaqej në performancat politiko-nacionaliste të Aleancës Kuqezi të Kreshnik Spahiut aty nga vitet 2012-2013, kur ish-n/kryetari i KLD-së nisi të krijonte profilin e ri, atë të një politikani, duke tentuar të kapë kauza nacionaliste të cilat lidheshin direkt me kundërshtimin e politikave greke. Duhet kujtuar se në pozitën e një njeriu të ligjit, në 2011-ën, Kreshnik Spahiu nisi fushatën e denoncimit të marrjes së nënshtetësisë greke nga shqiptarë në jug të vendit, sipas tij duke shkelur e abuzuar me ligjin. E më pas do vinte dalja hapur me qëndrime politike, duke patur në shënjestër pikërisht politikën e Athinës. Kjo prodhoi dhe atë pamjen qesharake më pas të Spahiut, ku me anë të dylbive vështronte kufirin me Greqinë, me pretendimin se nga fqinji mund të vinin kërcënime ushtarake.

Dhe e gjitha kjo shfaqje bëhej me anë të shqiponjës.

Dhe serbët në këtë rast janë thjesht viktima, sa të një tabiati të ri shqiptar e sa të vetvetes, kompleksit që kanë, që gjithçka shqiptare me frymë nacionaliste është kundër tyre, apo ndryshe për Shqipërinë e Madhe.

Dhe ata burra nga komisioni i disiplinës i FIFA-s, nëse kanë dy parë mend dhe e konstatojnë këtë gjatë hetimit, duhet ta mbyllin qetësisht dosjen e sajuar Xhaka – Shaqiri. Edhe nga fakti i thjeshtë se shqiponja nuk lidhet me ndonjë ngjarje a zhvillim tragjik, me pasoja në njerëz. Pra nuk është njësoj me veshjen si Ratko Mlladiç të tifozerisë serbe në stadium, pasi ky emër lidhet direkt me tragjedi njerëzore të vërtetuara.

Siç e ka thënë dhe Xhaka, shqiponjën e ka bërë për hir dhe të identitetit të tij kombëtar e familjar, pa patur fare në mend serbët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re