Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha se vendimmarrja për hapjen graduale do të bazohet në planin e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Aj paralajmëroi se nga të gjithë bizneset e qytetarët duhet që të ketë kujdes e të zbatohen rregullat, e nuk e përjashtoi mundësinë që në vazhdim të rikthehen masat e ashpra.
Çdo 2 javë do të analizohet situata, e nëse gjërat shkojnë mirë, atëherë edhe masat do të lehtësohen.
“Çdo biznes i hapur dhe që do të hapet në vijim do të ketë detyrim ligjor zbatimin e protokolleve për sigurinë e punonjësve dhe qytetarëve, ndryshe, do të penalizohet nga struktura e re e Task-Forcës ndërinstitucionale që po ngrihet për garantimin e zbatimit të rregullave të reja”.
Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”, tha Manastirliu duke shtuar “Vlerësimi i çdo hapi të ndërmarrë do të analizohet çdo dy javë. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani parashikon edhe rikthim të masave të ashpra. Në rast se situata do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse nuk do të kemi nevojë për frenat e emergjencës që janë gjithmonë aty, atëherë, në fillim të muajit maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe për ata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve”.
