Gjatë muajit të kaluar, ushtria izraelite ka vrarë rreth një mijë fëmijë palestinezë. Aktivistja humanitare izraelite Adi Ronen Argov vendosi të dokumentojë të dhënat mbi fëmijët e vrarë dhe rezultatet e hulumtimit të saj u botuan nga gazeta me reputacion izraelite Haaretz.
Sipas të dhënave të OKB-së, që kur Izraeli rifilloi sulmet në Rripin e Gazës më 18 mars, të paktën 100 fëmijë janë vrarë ose plagosur çdo ditë.
Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Philippe Lazzarini, e përshkroi situatën si tronditëse. Ai thotë se është një njollë në ndërgjegjen e njerëzimit. Më shumë se 15,000 fëmijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023.
Një kirurg britanik që u kthye së fundmi nga Gaza i tha Sky Neës se në Rripin e Gazës ka “kequshqyerje të thellë” dhe pretendon se ushtarët izraelitë po qëllojnë civilët në stacionet e ndihmës “pothuajse si një lojë qitjeje në shenjë”.
Dr. Nick Maynard kaloi katër javë duke punuar në Spitalin Nasser.
Maynard tha se ka operuar djem deri në 11 vjeç që ishin plagosur në pikat e shpërndarjes së ushqimit të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli: “Ata shkuan për të marrë ushqim për familjet e tyre të uritura dhe u qëlluan. Unë operova një djalë 12-vjeçar i cili vdiq në tryezën e operacionit nga ashpërsia e plagëve të tij.”
Ai vazhdoi: “Edhe më tronditëse ishte modeli i lëndimeve që pamë – grumbullimi i plagëve në pjesë të caktuara të trupit gjatë ditës. Një ditë ata vinin kryesisht me plagë plumbash në kokë ose qafë, një tjetër në gjoks, një tjetër në stomak.”
“Dymbëdhjetë ditë më parë, erdhën katër adoleshentë – të gjithë të qëlluar në testikuj, qëllimisht. Nuk ishte rastësi. Grumbullimi i plagëve ishte shumë i dukshëm për të qenë rastësi. Na dukej si një lojë qitjeje në shenjë. Nuk do ta kisha besuar se ishte e mundur nëse nuk do ta kisha parë me sytë e mi.” /tesheshi.com/
