Katër deri në 12 vjet heqje lirie rrezikon ish- kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nëse akuza e Prokurorisë së Posaçme për korrupsion pasiv me kompleksin sportiv Privatizani, faktohet. Gjykata e Posaçme po ashtu ka firmosur edhe për bllokimin e pasaportës së tij, duke i ndaluar daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë.

 

Mbrëmjen e së shtunës, dhëndrrit të tij, Jamarbër Malltezi iu vunë prangat në aeroportin “Nënë Tereza”, duke pritur bashkëshorten e tij. Mbi të rëndojnë për dy vepra të rënda penale, ajo e korrupsionit pasiv, që parashikon të njëjtën masë dënimi sa për vjehërrin e tij, e po ashtu edhe akuza e pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim. Kjo e fundit i kushton atij 7 deri në 15 vjet burgim. Jamarbër Malltezi, ka drejtuar Departamentin e Mjedisit në Partinë Demokratike dhe rezulton të jetë një prej pronarëve kryesorë të pallatave që fshinë gjurmët e kompleksit Partizani.

 

Në masën e detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore, nga gjykata e posaçme u la edhe biznesmeni, i cili ndërtoi 17 kulla mbi truallin e ish- kompleksit Partizani, si dhe iu bllokua pasaporta.

 

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes efektivë të krimit ekonomik dhe të policisë së shtetit mësynë brenda ambienteve të selisë së Partisë Demokratike për t’i komunikuar ish- kryeministrit Sali Berisha masën e sigurisë.

 

Ditën e nesërme pritet që të tre të njihen me masën e sigurisë pranë gjykatës së posaçme, nga gjyqtarja që i firmosi ato, Irena Gjoka.

 

Çështja e privatizimit të ish kompleksit sportiv partizani, tashmë është në duart e SPAK, e hetimet po drejtohen nga prokurorja Enkeleida Millonai dhe Arben Kraja. Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla i cili paditi në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrat e Mbrojtjes Arben Imami, Fatmir Mediu e Gazmend Oketa. Sipas Ballës, ata kanë përfituar financiarisht duke privatizuar afro 10 mijë metra katrorë tokë në vitin 2008 me një vlerë prej rreth 100.000 dollarësh,  në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të ndërtuar kulla.

 

Lidhur me këtë çështje në SPAK janë thirrur, pikërisht dy ish ministrat e mbrojtjes, Imami dhe Mediu, Genc Ruli në cilësinë e ish- ministrit të Tregëtisë, ish- komandati i mbështetjes logjistike, Vladimir Qirjazi, dhe Isa Tare, ish- drejtuesi i këtij kompleksi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re