Një video që tregon komunikimin me mimikë të një protestueseje me një polic në një marsh pro-palestinez në Spanjë është bërë virale në 24 orët e fundit.

Sipas El Espanol, skena është regjistruar në një tubim proteste kundër Izraelit që u zhvillua së fundmi në qytetin e Vigos, Galicia. Ndërsa turma e protestuesve brohoriste për lirinë e Palestinës, vajza e re shikon në sy policin që qëndron pikërisht përpara saj dhe i buzëqesh ngrohtësisht.

Ky i fundit mbetet i palëvizshëm në pozicionin e tij, por një buzëqeshje e lehtë mund të shihet përmes helmetës së tij. Në fund ai është fiksuar duke i thënë diçka protestueses, duke e bërë atë të qeshë.

Videoja ka marrë mijëra pëlqime në platforma të ndryshme të mediave sociale, me shumë komentues romantikë që e shohin fillimin e një dashurie të madhe, duke theksuar se skena vërteton faktin se dashuria mund të lindë në vendet e rrethana nga më të çuditshmet.

Sigurisht, ka shumë që i konsiderojnë të gjitha sa më sipër si ekzagjerime dhe e interpretojnë buzëqeshjen dhe shkeljen e syrit si një “akt rezistence” nga protestuesja, për të treguar se ajo nuk frikësohet nga prania e policisë.

Spanja, e cila më 28 maj 2024 njohu zyrtarisht Shtetin e Palestinës së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, është shfaqur në muajt e fundit si një nga kritiket më të zëshëm të BE-së ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut, ndërsa prej kohësh ka mbështetur kauzën palestineze.

Të dielën, kryeministri Pedro Sanchez shprehu admirimin e tij për protestuesit pro-palestinezë që ndërprenë turin çiklistik La Vuelta a España, gjë që çoi në shkurtimin e fazës përfundimtare, ndërsa mijëra qytetarë përmbytën itinerarin në qendër të Madridit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re