Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vlerëson se nisma e kryeminsitrit për të ligjëruar prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësor, nuk është serioze. Është thjesht një ide e përsëritur, e cila nuk bazohet me një analizë lidhur me përfitueshmërinë e saj.

“Mendojmë se çdo industri që funksionon me rregulla të qarta dhe që shërben si një nxitje për të gjeneruar më shumë fitime, duhet të jetë prezente në ekonominë tonë. Por qeveria duhet të ishte më serioze në prezantimin e kësaj nisme, duke e shoqëruar me një analizë konkrete”, u shpreh Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë Tiranë.

Sipas Jakës, qeveria nëse e ka seriozisht këtë ide duhet të mësojë nga gabimet e vendeve që e aplikojnë, në mënyrë që nisma të jetë e suksesshme në funksion të ekonomisë dhe të mos përfundojë në tregun ilegal.

“Ne, nuk e dimë cila është kostoja dhe leverdia e një nisme të tillë dhe një qeveri që është në mandatin e saj të tretë, nuk mund të rikthejë një ide të tillë pa patur një vlerësim të nevojave të vendit dhe të prezantojë prespektivën se ku duhet ta çojë këtë industri në vend. Vetëm një analizë të tillë do ta bënte qeverinë serioze në këtë ide.”

Janë një sërë shtete që e kanë të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, një industri e cila gjeneron miliarda lekë, por që ekspertët në vendin tonë e shohin me skepticizëm për aq kohë sa kemi institucione të dobëta për të kontrolluar territorin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re