Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është vënë nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim para, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ka dalë në një deklaratë për media ku shprehet se është i burgosur politik.
Ai ka komentuar dosjen e SPAK dhe thotë se “në asnjë faqe të akuzës nuk ka asnjë dëshmi, nuk del asnjë njeri që të thotë që Sali Berisha, apo Jamarbër Malltezi ka bërë presion për çfarëdolloj gjëje”.
Ndër të tjera Malltezi ndalet te procesi i kthimit të pronës, ku deklaron se nuk është bërë me shpejtësi siç pretendohet, por ka zgjatur 12 vite. Ndërsa për privatizimin thotë se ka zgjatur 4 vite si procedurë.
“Unë jam 1 në 510 mijë shqiptarë të cilëve i është kthyer toka e vjedhur padrejtësisht nga shteti komunist shqiptar. Më është kthyer më pak se 1%, vetëm 410 metra”, thotë Malltezi.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje!
Le të shohim një nga thagmat e radhës të shprehjeve të prokurorëve politikë, shërbyes të Edi Ramës në aktakuzën e tyre.
Qysh në faqen 3 kanë bërë një shënim, koment politik në të cilin thonë, Jamarbër Malltezi shfaqet si një person i pushtetshëm, por në asnjë pjesë të aktakuzës nuk kanë asnjë dokument, asnjë letër të Jamarbër Malltezit në asnjë nga institucionet e shtetit shqiptar deri në 2009 që ka mbaruar procesi.
Interesante është që në asnjë nga faqet e akuzës nuk ka asnjë dëshmi, nuk del asnjë njeri që të thotë që Sali Berisha, apo Jamarbër Malltezi ka bërë presion për çfarëdolloj gjëje.
Më pas për të mbështetur argumentin e tyre, komentin politik të Edi Ramës, thonë: veprimet janë kryer me shpejtësi.
Ky është një mashtrim tjetër sipas urdhrit politik.
Le të shohim procesin e kthimit të pronës.
Ky është dokumenti i njohjes dhe kthimit të pronës së familjes Begeja qysh në vitin 1996. Ka patur edhe kthim pjesor, edhe njohje. Dhe ky është vendimi final i 2007. Pra, 12 vjet për një person të pushtetshëm për t’i kthyer pronën.
Ndërkohë që ligji ka patur afate 2 dhe 3 mujore për përgjigjen e këtyre.
Të merremi me privatizimin e këtyre objekteve. Privatizimi i këtyre objekteve ka filluar nga shkresat e ministrit Anastas Angjeli për fillimin e procedurave të privatizimit dhe përgjigjen e ministrit Blendi Klosi, që bien dakord qysh në korrik të vitit 2005. Thotë: shprehemi dakord për fillimin e procedurave.
Por kur ka përfunduar kjo?
Pra, nga korrik 2005. Njëri klub ka përfunduar në nëntor 2008 dhe tjetri në nëntor 2009. Pra, për mbi 3 dhe për mbi 4 vjet.
Janë bërë procedurat shpejt, sipas prokurorëve politikë të nënshtruar nga SPAK.
Unë jam 1 në 510 mijë shqiptarë të cilëve i është kthyer toka e vjedhur padrejtësisht nga shteti komunist shqiptar. Më është kthyer më pak se 1%, vetëm 410 metra. Por unë jam i burgosur politik, sepse kështu ka urdhëruar Edi Rama dhe falangat e Sorosit në drejtësi.
Pse gënjeu SPAK-u, pra? Pse tha SPAK-u që janë bërë shpejt, kur procesi i kthimit të pronës ka marrë 12 vjet, ndërsa privatizimi për mbi 4 vjet.
Çfarë halli i shtyu këto prokurorë shërbyes të Edi Ramës të gënjejnë?
Ju faleminderit!