Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, foli nga qyteti i Elbasanit për projektet, që partia e tij pritet të zhvillojë, nëse do të marrë një tjetër mandat qeverisës më 25 prill.

Në një bashkëbisedim me qytetarët, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, Balla tha se Elbasani ka dy gjëra kryesore më 2021-2025, që janë bypass-i dhe linja hekurudhore.

“Në Cërrik, në vitet 2015-2019 ka qeverisur LSI, ku edhe pse mbështetja e qeverisë nuk mungonte, nuk bëheshin punë. Na duhet shumë ky mandat qeverisës për të vazhduar punët, kemi shumë projekte të mëdha.

Qarku i Elbasanit është bërë pjesë e projekteve të mëdha. Qeveria gjermane ka vendosur të financojë këtu, si asnjëherë tjetër më parë. Do kalojmë në Parlament projektin e madh të kanaleve të zeza. Ajo që ne duhet të transformojmë është kalaja e Elbasanit, që është kalaja më e madhe fushore në Ballkan.

Brenda 500 metra katror gjen edhe xhaminë, edhe kishën, etj., prandaj ne do ta transformojmë. Dicka tjetër që është e rëndësishme është se Elbasani 2021-2025 ka dy gjëra kryesore, bypass-i dhe linja hekurudhore, që e ka ndarë në mënyrë të padrejtë në dy pjesë Elbasanin, por që ne kemi një projekt të madh për ta transformuar. Jam i gatshëm të përballem me këdo, politikanë apo analistë, për numrin e punësimeve.

Në Elbasan ne kemi arritur thuajse ta dyfishojmë numrin e të punësuarve. Nëse në Elbasan më 2013 kishim rreth 30-40 mijë të punësuar, kjo shumë sot është e dyfishuar. Kjo është një shifër shumë domethënëse”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re