Nexhip Kraja është 74-vjeçari nga Shkodra, i cili ka fituar betejën me COVID-19. Së fundmi, në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit” me Enkel Demin, ai shpjegoi se kishte kollë, temperaturë dhe bllokim të frymëmarrjes.

Ai nënvizoi se ende ndihet i lodhur dhe se nuk ka energjinë që ka patur më herët.

“Jam 74 vjeç dhe nuk kam pirë kurrë ilaçe. Kjo ishte hera e parë. Nuk e di si e kemi marrë. Ishte shumë e vështirë.

Kisha kollë, temperaturë, edhe marrjen e frymës. Kemi ardhur direkt, në Tiranë. Morëm në telefon 127, na bënë tamponin dhe na nisën në Tiranë.

Në dhomë kam qenë me bashkëshorten. Shërbimi te Infektivi ishte i mirë. Infermierët na kanë ndenjur te koka gjithë kohën. Unë kam filluar të dal të blej ndonjë gjë për shtëpinë. Unë dal pa maskë dhe doreza.

Jam i lodhur, nuk e kam atë energjinë që kam pasur përpara. Në spital kemi qenë 16 ditë”, tha ai.

Deri në tani në vendin tonë kanë fituar betejën me COVID-19, 795 persona. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije një ditë më parë se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar me COVID-19 edhe gjashtë persona të tjerë.

Numri total i të infektuarve ka shkuar në 1004 dhe kanë humbur jetën 32 persona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re