Ish drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça është paraqitur ditën e sotme në gjykatë, ndërsa ka mohuar të jetë i përfshirë në ndërhyrjen në sistemin TIMS.

Ai ka deklaruar shkurt për mediat se është i pafajshëm, ndërsa tha se nuk ka kopjuar asnjë të dhënë.

“Jam i pafajshëm. Unë kam kryer detyrën, lëreni drejtësinë të veprojë, nuk kam bërë asnjë shkelje. Nuk kam kopjuar asnjë të dhënë. S’mi ka kërkuar askush”, tha Muca.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 9 prill marrjen në hetim të Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Ai akuzohet se ka eksportuar bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit, një vit më parë. Po ashtu, prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Në njoftim sqarohet se hetimi ndaj Muçës ka filluar bazuar në referimin e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në vitin 2023, lidhur me kopjimin e paligjshëm të të dhënave të sistemit TIMS.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re