Kryeministri Edi Rama ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe ndikimin rus në rajon. Ai u shpreh se fillimisht ishte i traumatizuar nga procesi i çeljes së bisedimeve.

Kryeministri deklaroi se dashuria e Shqipërisë ndaj BE-së është e pakushtëzuar, pavarësisht se në fillim “ishte shumë e vështirë të gjeje një lloj ekuilibri mendje me unionin që thoshte “ju duam por nuk duam të flasim”, njësoj si të thuash “dua të martohemi, por nuk dua të flasim”, po si mund të martohesh, tani po flasim dhe kjo është e rëndësishme.”

Komentet, Rama i bëri nga berlini ku ishte i ftuar në një prej bashkëbisedimeve në forumin e ri ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue”.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se është i sigurtë që një ditë, Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por nuk e di se kur.

“Shqipëria është tërësisht e orientuar drejt komunitetit euroatlantik, por nga vendet e tjera kemi më shumë ndikim rus dhe kjo zbutet duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE. Jemi shumë të vegjël për të bërë dallimin, por jemi një vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë.

Agresioni rus i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe Ballkanit Perëndimor për BE. Nuk di të them për datat dhe afate sepse nuk jam i sigurtë që BE ka kapacitetin për të vendosur një afat dhe zbatuar më pas.

Ne kemi bërë paqe me veten se duhet të bëjmë detyrat se në fund të fundit unë besoj se BE është burimi më i jashtëzakonshëm në i njohurive për ndërtimin e shtetit.

Nëse ka një dallim thelbësor mes vendeve të BE që nuk kanë një traditë të shteti funksional dhe vendeve të tjera në kontinente të ndryshme është që ne kemi bekimin që kemi këtë BE.

Të kesh mundësinë ta përdorësh këtë dije, të marrësh më të mirën e saj për të ndërtuar një shtet modern, ky është objektivi ynë. Por, do jemi nesër apo pasnesër anëtarë kjo nuk varet vetëm nga ne.

Por më duhet të rrëfej se jam ndjerë i traumatizuar nga procesi i pafundëm i çeljes së bisedimeve për anëtarësim se ishte shumë e vështirë të gjeje një lloj ekuilibri mendje që thoshte “ju duam por nuk duam të flasim”, njësoj si të thuash “dua të martohemi, por nuk dua të flasim”, po si mund të martohesh, tani po flasim dhe kjo është e rëndësishme.

A do të martohemi një ditë jam i sigurtë, a do të martohemi nesër nuk jam i sigurtë. E rëndësishme është që dashuria jonë për BE është e pakushtëzuar. Kështu që mund të kemi një lloj efekti çifti pa qenë të martuar.”, tha Rama nga tryeza e bashkëbisedimit në Berlin.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re