Urinimi gjatë dushit mund të duket si një zakon i padëmshëm dhe praktik, por sipas mjekëve, ai mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin urinar dhe pelvik, veçanërisht për gratë. Në disa raste, ky zakon mund të çojë edhe në dëmtime të veshkave.
Urogjinekologia amerikane, Dr. Teresa Irwin, i është drejtuar rrjetit social TikTok për të paralajmëruar ndjekësit e saj për rreziqet e këtij zakoni që, sipas sondazheve, praktikohet nga 60 deri në 80 për qind të njerëzve.
Në videon e saj me mbi 90 mijë ndjekës, Dr. Irwin shpjegon se urinimi në dush trajnon trurin të lidhë zhurmën e ujit që rrjedh me nevojën për të urinuar, duke ndikuar në mënyrën se si funksionon kontrolli i fshikëzës.
“Është njësoj si eksperimenti i famshëm i Pavllovit: qeni fillonte të lëshonte pështymë sa herë dëgjonte një zile, sepse e lidhte me ushqimin. E njëjta gjë ndodh me trurin tuaj – kur dëgjoni ujin që rrjedh, trupi përgatitet për të urinuar,” shpjegon ajo.
Me kalimin e kohës, kjo lidhje e pavetëdijshme mund të dobësojë kontrollin natyral të fshikëzës, duke krijuar urgjencë të shpeshtë për të shkuar në tualet, edhe në situata që nuk e kërkojnë realisht.
Rreziqe të tjera për gratë
Përveç ndikimit neurologjik, mjekët paralajmërojnë se urinimi në këmbë gjatë dushit mund të rrisë rrezikun për infeksione të traktit urinar, e në raste më të rralla, të çojë edhe në komplikacione më serioze si dëmtimi i veshkave.
Ndryshe nga burrat, që kanë gjëndrën e prostatës si mbështetje natyrale gjatë urinimit në këmbë, trupi i gruas nuk është i projektuar për këtë pozicion.
Urinimi në këmbë shkakton tension të panevojshëm në muskujt e dyshemesë pelvike, duke bërë që fshikëza të mos zbrazet plotësisht.
Kjo urinë e mbetur, e njohur si retension urinar, është një terren i favorshëm për infeksione të përsëritura dhe acarime të fshikëzës.
Fizioterapistja e specializuar për dyshemenë pelvike, Dr. Alicia Jeffrey-Thomas, e bazuar në Boston, thekson:
“Gratë nuk janë të ndërtuara për të urinuar në këmbë. Muskujt nuk çlodhen siç duhet, ndaj fshikëza nuk arrin të zbrazet plotësisht.”
Edhe lëkura në rrezik
Një rrezik tjetër i lidhur me urinimin në dush, si për burrat ashtu edhe për gratë, është infektimi i plagëve të hapura në pjesën e poshtme të trupit.
Bakteret e pranishme në urinë mund të depërtojnë në plagë dhe të shkaktojnë infeksione të lëkurës.
Megjithatë, mjekët theksojnë se ky është një rrezik i vogël, pasi uji i dushit zakonisht e shpëlaj urinën, duke reduktuar mundësinë e infeksioneve.
Përfundimi?
Edhe pse mund të duket si një veprim i padëmshëm ose i përshtatshëm, urinimi në dush nuk është i këshillueshëm, sidomos për gratë.
Ai mund të ndikojë negativisht në funksionimin e fshikëzës, të shtojë rrezikun për infeksione urinare dhe të dëmtojë muskujt e dyshemesë pelvike.
Mjekët rekomandojnë që urinimi të bëhet në pozicion të ulur (për gratë) dhe në kushte të përshtatshme higjienike — për të ruajtur shëndetin urinar, pelvik dhe neurologjik në afat të gjatë./ Shendeti.com.al/ Burimi: Daily Mail