Gramoz Minollari dhe dy fëmijët e tij, 12 dhe 7-vjeç, jetojnë prej 6-vjetësh në një banesë të shkatërruar totalisht.

Me mure të çara, me tavan të rrëzuar, pa asnjë ngrohje, pa ushqim dhe në kushtet ekstreme të varfërisë jeton kjo familje në fshatin Peshtan të Poliçanit. Banesa, ku jeton kjo familje është përmbytur dhe ka rrëshqitur në vitin 2015, si pasojë e erozionit të tokës.

Nga rrëshqitja, banesa është çarë dhe i gjithë tavani është rrëzuar.

Pas vlerësimit të bërë nga Këshilli i Qarkut Berat një vit e gjysmë pas shembjes, gjeologët kanë kryer edhe vlerësimin e banesës dhe pasi kanë deklaruar se godina ka rrezik shembjeje pasi toka është e paqëndrueshme, i kanë kërkuar Gramozit të largohet bashkë me fëmijët.

Kryefamiljari deklaron se ai nuk ka asnjë vend ku të shkojë bashkë me fëmijët, pasi është i papunë dhe pas vdekjes së gruas 8-vite më parë i ushqen fëmijët vetëm me një ndihmë ekonomike që merr.

Gramozi shprehet se në vitin 2018 i është hedhur vetëm 30% e dëmit që është përcaktuar nga qarku dhe prej 3-vjetësh sorollatet nga zyrtarët e shtetit në çdo institucion.

“Ku nuk kam shkuar për të kërkuar të drejtën time. Në prefekturë më thonë e ka fajin bashkia e Poliçanit, në bashki më thonë se e ka fajin Ministria, nuk di ku ta gjej të drejtën. Të më çelet fondi dhe të më jepet leja e ndërtimi që të ndërtoj në shtëpi disa metra më lart, në tokën time. Unë jam në mes të të ftohtit, kërkoj zgjidhje”, -shprehet me lot në sy 52-vjeçari Gramoz Minollari për “Balkan Web”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re