Prokurori i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Vladimir Mara, ka dhënë detaje mbi një operacion ndërkombëtar që ka çuar në sekuestrime të shumta të lëndëve narkotike në Itali dhe në identifikimin e një rrjeti të gjerë kriminal me origjinë nga Shqipëria.
Në deklaratën e tij, Mara bëri të ditur se ky hetim është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet italiane, të cilat kanë administruar të dhëna të marra nga platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC.
Ai shtoi se informacionet e siguruara nga Sky ECC kanë ofruar një panoramë të qartë të organizimit të këtij grupi kriminal, duke përfshirë rolet, rrethet e shpërndarjes dhe lidhjet ndërkombëtare të trafikimit të drogës.
Vladimir Mara: Është realizuar sekuestrimi në disa episode të lëndëve narkotike në shtetin italian. Nga ana e autoriteteve italiane janë administruar të dhënat të platforës Sky ECC, çka kanë paraqitur para hetimit një panoramë të qartë të organizimit të gjithë këtij grupi kriminal.
Nga analizimi i këtyre të dhënave kemi arritur të dokumentojmë gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal që fillonte në Shqipëri, në Puglia dhe më pas në gjithë territorin italian dhe më pas në vende të tjera të BE, si Gjermani, Belgjikë e Hollandë dhe në Amerikën e Jugut.
Krahas të dhënave të përfituara nga përgjimet telefonike janë përdorur edhe të dhënat e përfituara nga platformat e inkriptuara.
Është dokumentuar i gjithë cikli i lëvizjes së lëndëve narkotike.
Janë dokumentuar mbi 30 episode të qarkullimit të parave në një vlerë prej 5 milionë euro.