Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i cili pretendoi se ka një dokument nga morgu i Tiranës që vërteton fshehjen e numrit të viktimave nga koronavirusi.

Ndërsa i konsideroi tronditëse akuzat e lëshuara nga lideri demokrat, Çomo sqaroi se shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet nga politikanët, përveç mjekut përkatës.

“Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19. Nuk duhej kurrësesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.

Nëse këto akuza përsëriten, Çomo paralajmëroi se do të ftojë organet kompetente të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore.

“Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Gjithashtu bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, ne do të ftojmë organet kompetente të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrësesi pa adresuar me ballafaqim miqësor ose ligjor këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t’i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në këtë kohë janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë kjo është gjëja e fundit që na shkon në mendje ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit” , përfundoi Çomo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re