Përfaqësuesi i grupimit për PD-në Edin Kulluri, në një intervistë për Fax News, tha se nga kjo forcë politike pritet që të nisin një seri dorëheqjes të kryetarëve të grup seksioneve.

Sipas Kullurit një forcë politike e cila nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira brenda partisë, e ka të pamundur që të jetë një alternativë qeverisëse, ndërsa shtoi se PD nuk ka paraqitur prova ligjore që provojnë tjetërsimin e votave.

“Jemi në kushtet e një projekti personal të Lulzim Bashës dhe të një aventure të atyre që e mbështesin, është fatkeqësi e madhe që këto bjenë në vesh të shurdhët. Është krejtësisht e pamundur që ti të jesh një alternativë qeverisëse, në rast se nuk bën zgjedhje të brendshme.

Janë qindra kryetarë grupseksionesh që nuk marrin më pjesë në mbledhjet e PD, apo anëtarë të kryesisë që e kanë shkëputur aktivitetin e tyre politik, për shkak të udhëheqjes së Lulzim Bashës. Pritet që të ketë dorëheqje të tjera. PD jo vetëm që nuk e ka luksin të humbasë njerëz, por duhet të hynte në një proces rihapje për të gjithë anëtarët që duan të bashkohen me këtë forcë politike.

Nga pikëpamja ligjore PD nuk ka paraqitur asnjë fakt për vjedhjen e zgjedhjeve, janë të paaftë edhe për të mbrojtur votën, dhe janë të paaftë edhe të provojnë vjedhjen në rast se kjo ka ndodhur. Unë nuk e përjashtoj se ka pasur presion mbi administratën, por kjo duhet të jetë e provuar”, u shpreh Kulluri.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re