Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur “përndjekje politike të Ramës”, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme ndaj Kuvendit për arrestimin e tij dhe sekuestrimin nga SPAK të celularit të Monika Kryemadhit.

Berisha u shpreh se nuk është kërkuar heqja e imunitetit të tij si deputet, por thekson, se po kërkojnë të “përligjin aktit të tyre antikushtetues”.

Megjithatë deklaroi se do të zbatojë vendimin e Parlamentit në lidhje me kërkesën e SPAK.

“Nuk kanë kërkuar heqjen e imunitetit, por në mënyrën më të turpshme përligjen e aktit të tyre antikushtetues.

Morën një vendim në shkelje të Kushtetutës të cilin nuk e zbatova jo për shkaqe të mia personale, por për të mbrojtur pushtetin e Parlamentit dhe Kushtetutën. Ata u bënë pjesë e një puçi antikushtetues dhe në vend se të kërkonin nga Parlamenti me një sens vetëqortimi autorizimin për korrigjimin e gabimit që bënë, përkundrazi kërkojnë nga Parlamenti rëndimin e masës për shkak se unë mbrojta Kushtetutën, dallimi është i madh.

Kjo është përpjekja për të legalizuar “ndërtimin pa leje”. Nuk kanë bërë gjë tjetër veçse, dëshmuan se ata janë 1, është shprehja më tipike e partisë shtet, ku prokuroria, gjykatësi, parlamenti dhe kryeministri, janë të gjitha 1 në dorë të Kryeministrit.

Nuk mund t’i lija vetes shkeljen e Kushtetutës, tani përligjin aktin antikushtetutes që ndërmorën. Cilido të jetë vendimi i Parlamentit, jam dakord”, tha Berisha.

Sa i përket marrëdhënieve me Partinë e Lirisë, Berisha u shpreh se nuk janë ftohur por vazhdojnë të veprojnë në sintoni.

“Pra, lidhur me Partinë e Lirisë, të gjitha janë përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama.

Sesi mund ti kontrollohet korrespondenca një deputeti pa leje nga parlamenti është shkelje Kushtetutës. Duhet t’i marrin leje parlamentit, sikundër nuk i morën heqjen e lejes së lirisë për të udhëtuar jashtë vendit në kundërshtim me Kushtetutën. Opozita do të qëndrojë, nuk ka ftohje, jemi në sintoni me të dhe partitë e tjera politike të opozitës”, deklaroi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re