Gazment Bardhi, pas mbledhjes së deputetëve ka dalë në një deklaratë për media, ku ka zbardhur diskutimet dhe i ka bërë thirrje mazhorancës të mos i mohojë të drejtat kushtetuese opozitës.

Bardhi tha se nuk ka ndodhur në 32 vite që opozitës t’i rrëzohen 3 kërkesa për komisione hetimore, ndërsa i bëri thirrje mazhorancës që nëse ka vendosur të bllokojë opozitën, duhet të marrë mbrapsht pasojat.

“Dua t’ju informoj se kemi diskutuar me shumë përgjegjshmëri, situatën në të cilën mazhoranca ka vendosur opozitën dhe parlamentarizmin në vend. Dua t’ju informoj se përgjatë dy viteve, me urdhër politik të Ramës janë bllokuar 31 projektligje, të cilat nuk merren në shqyrtim as nga komisionet parlamentare, dhe prej kohësh janë përfshire në programin e punës së Kuvendit pa një datë shqyrtimi.

Brenda një jave, janë rrëzuar 3 kërkesa për komisione hetimor, duke u refuzuar 40 deputetëve të drejtën për të ushtruar kontroll parlamentar. Kemi kërkuar 3 komisione hetimore në interes të qytetarëve.

Të enjten opozitës iu mohua e drejta për të pasur anëtaret që dëshiron në komisionin reformës zgjedhore. Edhe pse gjatë dy viteve kemi pritur përushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR nëpërmjet një komisioni të posaçëm mbipartizan, për herë të parë në këto 32 vite mazhoranca i ka hequr të drejtën pjesës dërrmuese të deputetëve…

Opozitës i janë mohuar të gjitha të drejtat, duke iu mbyllur çdo rrugë. Vullneti ynë është për një parlament fuksional. Kemi bërë gjithçka që kjo të ndodhë. E treguan të enjten për një rezolutë të përbashkët për Kosovën. Por kur ti i bllokon të drejtat opozitës, ke bllokuar parlamentin. Dua të apeloj për mazhorancës t’i kthehet rrugës së kushtetutshmërisë dhe zhvillimit normal të parlamentit. Nëse ke vendosur të bllokosh opozitën, duhet të marrësh mbrapsht dhe pasojat”, tha Bardhi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re