Mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion është trajtuar historia e disa personazheve të njohur të botës së krimit në vendin tonë, që kanë ushtruar ndikimin e tyre në disa qytete të vendit, duke ngjallur frikë dhe terror, dhe duke shkaktuar shumë viktima.

E tillë është padyshim dhe historia e fisit Haklaj në Tropojë, ku si pasojë e konflikteve të tyre të vazhdueshme, u shënuan dhjetra viktima në familjen e tyre, por edhe në radhët e kundërshtarëve.

Ish-drejtuesi i policisë Erzen Breçani tha se Fatmir Haklaj ka qenë viktimë i politikës, dhe veçanërisht ish-kryeministrit Fatos Nano.

“Ai që e mori në qafë ishte Fatos Nano, e kam njohur, kemi pasur të bëjmë në Tropojë. Tropoja është e lidhur, të gjithë kemi lidhje me njëri tjetrin, këta kanë qenë një fis i mirë, këta u vranë me njerëzit e tyre politikisht. Këta u detyruan me vra, pasi shteti u përdor për të vrarë.

Janë njerëz të lindur që janë shumë të fortë, janë të gjithë njerëz të shkolluar, janë intelektualë, nuk dua ti bëj heronj, por dua të them që në Tropojë nuk mund të dalësh kundër njerëzve të tu.

Ai e ka ditur shumë mirë që do ta vrisnin, i vranë vëllezërit, ishin një makineri e fortë në Tropojë, por nuk kishin frena. Vetëm Fatos Nano i ka vrarë tropojanët”, u shpreh Breçani, ndërkohë që gazetari Hoxha hodhi akuza dhe në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Nëse shteti i bie tavolinës me grusht nuk ka vrasje”, tha më tej Breçani, ndërkohë që Blendi Fevziu tregoi dhe një histori interesante në lidhje me Haklajt. Ai tha se gazetari Ferdinand Dervishi kishte bërë një reportazh për Haklajt, dhe katër anëtarë të kësaj familje i kishin shkuar në zyrë dhe i kishin kërkuar emrin e gazetarit.

“Donin vetëm një letër ku të thoshte se të dhënat për reportazhin gazetarit ia kishte dhënë Gani Malushi. Na lanë një javë kohë, një ditë para afatit i vranë”, tha Fevziu.

Vetë Dervishi u shpreh se në reportazhin që bëri u përmend për herë të parë fakti se Haklajt ishin autor të vrasjes së Azem Hajdarit.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re