Gjykata e Japonisë sot hodhi poshtë padinë nga brezi i dytë i viktimave të bombave atomike të cilët kërkonin kompensim nga qeveria.

“Shteti nuk ofron ndihmë për të ashtuquajturit ‘hibakusha’ të gjeneratës së dytë, të cilët kanë lindur nga të mbijetuarit e bombës atomike dhe nuk shkelë garancinë kushtetuese të barazisë sipas ligjit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut të Nagasakit.

Të mbijetuarit e bombardimeve atomike në vend njihen si “hibakusha”.

Japonia është i vetmi vend që ka qenë viktimë e bombave atomike që rezultuan me vdekjen e dhjetëra mijërave dhe që pati një ndikim në jetën e brezave të ardhshëm.

Vendimi i Gjykatës së Nagasakit erdhi pasi 28 persona kërkuan 100 mijë jen (730 dollarë) për çdonjërin prej tyre nga qeveria si kompensim.

Një rast i ngjashëm është në pritje përpara një gjykate në Hiroshima, vendi ku u hodh bomba e parë atomike në botë nga avionët ushtarakë amerikanë më 6 gusht të vitit 1945. Më vonë, forcat amerikane bombarduan Nagasakin, i cili rezultoi në vdekjen e të paktën 140 mijë njerëzve nga fundi i atij viti. Në mesin e të vdekurve ishin mbi 20 mijë koreanë.

Personat e kategorisë “hibakusha” marrin nga qeveria japoneze “forma të ndryshme ndihme financiare”, përfshirë koston e plotë të shpenzimeve të tyre mjekësore.

“Ndihma e tillë nuk përfshinë fëmijët e tyre”, raportoi Kyodo News.

Në argumentin e tyre, kërkuesit i thanë gjykatës se “ekspozimi i prindërve ndaj rrezatimit” të bombës atomike amerikane në vitin 1945 “kishte ndikuar edhe në shëndetin e tyre”.

Gjykatësi kryesues, Hiroyoshi Amakawa vendosi se: “Ndikimi gjenetik i rrezatimit nuk mund të përcaktohet”.

Qeveria japoneze i tha gjykatës se “efektet e ekspozimit ndaj rrezatimit tek fëmijët nuk u konfirmuan dhe se për këtë arsye nuk kishte asnjë detyrim legjislativ për të zgjeruar ndihmën financiare”.

“Fusha e veprimit të ligjit për ndihmën e të mbijetuarve të bombës atomike do t’i lihet diskrecionit të legjislaturës”, shtohet më tej.

Duke përjashtuar çdo qasje “diskriminuese”, gjykata tha: “Mund të thuhet vetëm se nuk mund të mohojmë mundësinë e një ndikimi trashëgues të ekspozimit ndaj rrezatimit të bombës atomike”.

Megjithatë, kërkuesit e quajtën vendimin “të padrejtë”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re