Skip to content

Japoni, shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë të paktën 100 viktima

Përmbytjet dhe shkarjet e tokës nga shirat e rrëmbyeshme, të cilat vijojnë të bien me intensitet të lartë në zonat qendrore dhe perëndimore të Japonisë, kanë çuar në të paktën 100 numrin e viktimave, përcjell KosovaPost.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, njoftoi se të paktën 40 persona, kryesisht në Hiroshima, rezultojnë të zhdukur në këto përmbytje dhe se në aksionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar 54 mijë ekspertë nga ekipet e Mbrojtjes Civile, Rojës Bregdetare, Policisë dhe Zjarrfikëses.

Autoriteti i Meteorologjisë së Japonisë parashikoi shira të rrëmbyeshme edhe gjatë ditës së diel në Ehime dhe Kochi, ndërsa theksoi se gjendja emergjente vazhdon ende në Gifu.

Qeveria po konsideron seriozisht urdhrin ose propozimin për evakuimin e 4,7 milionë banorëve të zonave të prekura nga shirat e rrëmbyeshme në vend.

Ndërkaq, Kryeministri japonez, Shinzo Abe, e cilësoi të dielën si “garë me kohën” operacionin e autoriteteve për të shpëtuar personat e izoluar nga pasojat tragjike të shirave të rrëmbyeshme.

“Forcat e ndihmës së shpejtë, të shpëtimit të jetëve njerëzore dhe evakuimet janë në garë me kohën”, u shpreh Shinzo Abe gjatë një mbledhjeje emergjence në Tokio me ministrat kryesorë./.