Japonia do të ofrojë ndihmë urgjente humanitare me vlerë prej 2 milionë dollarë për refugjatët Rohingya nga Mianmari të strehuar në Bangladesh.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme japoneze, qeveria do të dërgojë ndihma urgjente për popullin Rohingya të cilët u dëbuan nga Mianmari dhe u strehuan në Bangladesh.

Ndihma emergjente humanitare prej 2 milionë dollarësh do të shpërndahet përmes Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Komisionerit të Lartë për Refugjatët.

“Japonia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Bangladeshit për të mbrojtur njerëzit e dëbuar me një ndihmë të tillë,” thuhet në deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, Masud Bin Momen, gjatë javës tha se “Bangladeshi është ende duke u përballur me sfidat e shumta të pritjes së më shumë se një milion shtetasve të Mianmarit të zhvendosur me forcë”.

– Spastrimi etnik i muslimanëve Rohingya

Në vitin 2012, shpërthyen përleshjet mes budistëve dhe muslimanëve në shtetin Arakan të Mianmarit, ku mijëra njerëz, kryesisht muslimanë, u vranë dhe u dogjën qindra shtëpi dhe biznese.

Duke përmendur sulmet e njëkohshme në pikat kufitare në Arakan më 25 gusht 2017, ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive.

Sipas OKB-së, pas gushtit 2017, numri i njerëzve që ikën nga shtypja dhe persekutimi në Arakan dhe u strehuan në Bangladesh ka arritur në 900 mijë.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut me imazhet satelitore që publikuan vërtetuan se qindra fshatra janë shkatërruar.

OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i referohen dhunës kundër muslimanëve Rohingya si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re