Japonia sot ka hedhur poshtë hapin rus për t’u tërhequr nga bisedimet e paqes mbi Ishujt e diskutueshëm Kuril dhe të gjitha projektet e lidhura me to, mes sanksioneve të Tokios kundër Moskës.
“Veprimet e Rusisë janë jashtëzakonisht të paarsyeshme dhe krejtësisht të papranueshme”, tha kryeministri japonez Fumio Kishida në parlament, sipas Kyodo News.
“Të gjitha situatat aktuale kanë ardhur nga agresioni rus ndaj Ukrainës”, shtoi ai.
Të hënën, Ministria e Jashtme ruse tha se “pozicioni i qartë jomiqësor” i Japonisë, i cili synon të dëmtojë interesin e Rusisë, e bën të pamundur nënshkrimin e një dokumenti themelor për marrëdhëniet dypalëshe.
Ministria po ashtu tha se ndërpreu udhëtimin pa viza për shtetasit japonezë në Ishujt Kuril jugorë dhe ndaloi dialogun me Japoninë për vendosjen e aktiviteteve të përbashkëta ekonomike atje.
“Qëndrimi i Japonisë për të kërkuar zgjidhjen e çështjes territoriale dhe përfundimin e një traktati paqeje me Rusinë mbetet i pandryshuar”, tha Kishida.
Tokio i përcolli gjithashtu qëndrimin e tij për ishujt e diskutueshëm ambasadorit rus në Japoni, Mikhail Galuzin.
Japonia iu bashkua aleatëve të saj perëndimorë në kundërshtim e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke vendosur sanksione ndaj individëve, organizatave dhe kompanive, përveç shpalljes së kontrolleve të eksportit të produkteve të saj në Rusi.
Rusia dhe Japonia nuk kanë nënshkruar traktat paqeje pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë mosmarrëveshje territoriale mbi ato që Moska i quan Ishujt Kuril, ndërsa Japonia i identifikon ato si Territoret Veriore.