Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi mazhorancën për mbrojtjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar për korrupsion nga SPAK dhe me masë sigurie nga GJKKO, teksa tani kërkohet heqja e imunitetit të saj.
Teksa mbështeti drejtësinë, ai tha se po i vinte radha të korruptuarve të pushtetit njëri pas tjetrit. Mes tyre ai përmendi me emër nga foltorja e Kuvendit edhe kreun e grupit të PS, Taulant Balla.
“Po të vjen radha edhe ty Taulant, ngrije kokën!”, i tha deputeti opozitar.
Balla mori fjalën për replikë dhe iu përgjigj Shehajt se ishte i vetmi person që vidhte të dhënat dhe listat e anëtarëve të partisë së tij, PD-së dhe i dënuar me vendim gjykate.
“Këtu kam një vendim të një autoriteti të Shqipërisë, i cili këtë njeri e ka dënuar me vendim të formës së prerë këtu se i ka vjedhur PD-së të dhënat dhe listat e anëtarëve të kësaj partisë së lodhur që fut lloj-lloj njeriu aty. në fakt ua futi Luli, është prerje e Lulit ky dhe jo e Saliut. Nuk ka faj Saliu për këtë, është e vërtetë, është prurje e Lulit ky…”, tha socialisti.
Balla vijoi duke e ftuar Shehajn që të shikonte vendimin:
“Unë këtu e kam vendimin, të ftoj ta marrësh, jo tani, herë tjetër. Ka një vendim ku ti je dënuar dhe partia jote është dënuar për vjedhje të të dhënave personale. Aaa, e pranove! Dhe nuk po hyj te vendimi i Lapajt, sepse ai është vendim që do e kundërshtosh në gjykatë dhe kur të marri formën e prerë, të dalë tezja e Lapajt të marri fjalën dhe të flasë këtu”.
Në fund ai i kujtoi kolegut opozitar se u bë deputet “qyl” nga PD, por ai e vodhi dhe për këtë duhet t’i vinte turp.
“I ke vjedhur PD-së listën e anëtarëve, imagjino çfarë je ti? Këta të marrin të fusin qyl, e ti u vjedh të dhënat pa leje! Turp!”, përfundoi Balla.
