I dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg, tha se palët në konflikt në këtë vend janë dakorduar për të zgjatur armëpushimin edhe për dy muaj të tjerë.

Një armëpushim në Jemen u njoftua më 2 prill, ndërsa marrëveshja për zgjatjen u arrit vetëm disa orë para skadimit.

“Dëshiroj t’ju informoj se palët në konflikt i janë përgjigjur pozitivisht propozimit të OKB-së për zgjatjen e armëpushimit në Jemen edhe për dy muaj të tjerë”, tha Grundberg në një deklaratë me shkrim.

I dërguari i posaçëm i OKB-së tha se vendimi për të rinovuar armëpushimin do të hyjë në fuqi sot në orën 19:00 sipas orës lokale.

Jemeni ka qenë skenë e konfliktit dhe dhunës që nga viti 2014, kur lëvizja rebele Houthi mori kontrollin e pjesës më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua një vit më vonë kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë qëndruan në anën e qeverisë jemenase dhe filluan të kryejnë sulme ajrore në pozicionet rebele.

Thuajse 377.000 njerëz humbën jetën në konfliktet në Jemen. Jemeni është një nga vendet më të varfra, ndërsa lufta në këtë vend ka çuar në një krizë të tmerrshme dhe më të thella humanitare në botë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re