Fshati i Bilçës është një nga zonat më prodhuese në qarkun e Beratit, për prodhimin e ullirit të tavolinës dhe ullirit vajs, siç njihet ndryshe “ulliri i Beratit”.

Të gjitha familjet e këtij fshati të ish-njësinë administrative Velabisht jetojnë vetëm prej kultivimit dhe tregtimit të ullinjve. Këtë vit prodhimi i ullirit në këtë fshat nuk ishte i mbarë si vitet e kaluara, pasi pjesa më e madhe e prodhimit shkoi dëm dhe ulliri këtë vit nuk arriti pjekjen e duhur për shkak të kushteve jo të favorshme klimaterike. Ndërkohë, siç shprehen edhe vetë banorët, kjo situatë e krijuar këtë vit po i çon ata drejt falimetimit.

Banorët e Bilçës shprehen se, plehrat kimike dhe pesticidet këtë vit janë rritur dhe atyre nuk u del as kostoja që kanë shpenzuar për shërbimet që i kanë bërë pemëve të ullirit. Ata deklarojnë se, ulliri është e vetmja e ardhur ekonomike që ata kanë për të mbajtur familjet e tyre por nga viti në vit ata po zhyten në borxhe pasi nuk nxjerrin dot as lekët e plehrave kimike e pesticideve, pa llogaritur shërbimet dhe punën e tyre.

Sipas fermerëve, shteti shqiptar nuk i ka hedhur asnjëherë sytë nga ata, as për ndikuar në uljen e çmimeve të plehrave kimikë që fermeri të ketë mundësi të mbijetojë dhe të ushqehet. Fermerët pohojnë se, ata nuk kanë marrë asnjëherë asnjë ndihmë ekonomike, grante apo subvencion nga shteti, edhe pse qeveria ka vite që deklaron se po ndihmon fermerët.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re