Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, shprehu entuziazëm dhe besim të madh tek mbështetja në rritje që po merr forca e tij politike, gjatë takimit të fushatës në Korçë.
Në fjalën e tij, Shehaj theksoi se Partia Mundësia tashmë është forca e tretë politike në Shqipëri, me një diferencë të ndjeshme nga subjektet e tjera.
“Të gjithë e kanë kuptuar, ne jemi partia e 3-të në Shqipëri me një diferencë të madhe nga i katërti dhe i pesti, dhe kjo po del gjithandej,” u shpreh Shehaj para mbështetësve të tij në Korçë.
Duke komentuar sulmet politike që ka marrë kohët e fundit, Shehaj paralajmëroi se këto do të intensifikohen në javët e mbetura deri në zgjedhje.
“Dhe ju e kuptoni shumë thjeshtë nga një gjë që ka filluar të ndodhë kohët e fundit, që është: sulmet. Po ky është vetëm fillimi, do kemi 2 javë sulmesh, 2 javë gënjeshtrash, 2 javë mashtrimesh,” tha ai.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre sulmeve dhe të qëndrojnë të palëkundur.
“Duan të gënjejnë qytetarët shqiptarë: Agroni është i keq, Agroni është i ditur, do fillojnë të merren me familjarët e mi, me vëllezërit e mi, me të afërmit e mi. Mos e vrisni mendjen, çdo sulm që vjen nga njerëz që kanë humbur besimin e qytetarëve është një mbështetje në fakt, nuk është një sulm. Kështu që nuk duhet ta vrasim mendjen fare,” theksoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Shehaj solli edhe shembuj nga mbështetja që Partia Mundësia po merr jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga bashkëatdhetarë të ardhur nga jashtë vendit.
“Sot po flisja me një zonjë, ka ardhur nga Italia për të mbështetur Partinë Mundësia. Dje takova dikë që ka ardhur nga Amerika për të mbështetur Partinë Mundësia. Juve mund t’ju duket e pabesueshme,” tregoi Shehaj.
Ai nënvizoi se shumë shqiptarë ndajnë të njëjtën ëndërr për një Shqipëri pa korrupsion dhe për një të ardhme më të ndershme.
“Ka shumë ëndërrimtarë si puna jonë, nuk jemi vetëm. Ka shumë që mendojnë që e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë në duart e një tufe politikanësh të korruptuar, dhe këta thonë të gjithë të njëjtën gjë: Duhet të votojmë, duhet të punojmë kundër korrupsionit, ky është problemi,” tha ai.
Në përfundim të fjalës, Shehaj theksoi se ndryshimi është i mundur, se ai nuk do të vijë vetvetiu, por kërkon angazhim dhe pjesëmarrje masive në zgjedhje.
“E di që kanë kaluar 34 vjet, por kjo s’do të thotë që të merremi me diçka tjetër, ky është problemi, dhe duhet të flasim për këtë gjë, dhe me votën tonë mund ta ndryshojmë Shqipërinë. Ndryshimi do vijë në 12 maj, është vetëm fillimi. Ndryshimi është një proces,” përfundoi Agron Shehaj.