Të margjinalizuar dhe në varfëri të madhe. Në kushte të vështira, por edhe të sprovuar. Pavarësisht të gjithave, ata thonë se janë të lumtur dhe se jetën do ta jetojnë ashtu siç ua ka dhënë Zoti.

Këtu jemi në Mitrovicë, në lagjen e komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Sapo hyn në këtë lagje, i sheh kollaj kushtet e vështira. Por kur afrohesh pranë banesave të tyre, gjen grimca të një jete normale, me dritë-hijet e saj.

Kur media iu afrua njëri prej tyre, ai tregoi se është i papunë dhe ka 9 fëmijë. Jeton me një pension të të atit dhe pavarësisht të gjithave, thotë se është i lumtur.

“Jemi nëntë anëtarë, prej tyre tre fëmijë më shkojnë në shkollë, dy në shkollën fillore ‘Bedri Gjina’, njëri në shkollën e mesme ‘Frang Bardhi’. Jam i papunë, jetojmë me një pension të babës prej 180 euro, 80 euro paguaj rrymë me përmbarues. Sa i përket kushteve, jemi mesatar, por duhet me u mburrë me këtë që kemi. Të lumtur jemi, Allahu qysh ka thënë do të jetojmë”, tha ai për Kosovapress.

Bashkim Jahiri, nxënës i shkollës së mesme nga kjo lagje, thotë se janë të varfër por të lumtur.

“Jemi fukarenj, por jemi të lumtur”, thotë shkurt adoleshenti.

Një tjetër banor i lagjes, tregon për Kosovapress se jetesa është e vështirë dhe se institucionet duhet të bëjnë më shumë për ta.

“Jetoj vetë i nënti anëtarë në këtë lagje. Çka me thënë, vështirë e kemi papunë, kur është njeri papunë, normal vështirë e ka. Eh, prej stresit, kur ka njeri stres të madh, lëshon muzikë. Kisha bërë apel te komuna e Mitrovicës që ta vizitojë këtë vend, mos ta lëjë anash, ti ndihmojë këtij populli këtu. Edhe deputetët tonë romë, mos t’i nxejnë kariget e tyre, sepse dua të them se shkojnë vite, ndërsa nuk vinë ta vizitojnë këtë vend këtu dhe e lënë anash këtë popull të varfër”, ka thënë Bajrami.

Problemi kryesor këtu mbetet papunësia. Habib Hajdini, përfaqësues i komunitetit RAE (rom, ashkali e egjiptian) në Mitrovicë, tregon se në lagjen me më shumë se 1 mijë banorë, janë të punësuar vetëm 10 persona.

“Këtu po shihet jeta e popullatës tonë e cila ballafaqohet me kushte shumë të vështira…Problemet e tyre janë më shumë papunësia. Në krejt lagjen i kemi rreth 300 shtëpi me më shumë se 1 mijë banorë, dhe nuk di nëse punojnë 10 persona… Institucionet më herët dhe deri tash nuk na kanë ndihmuar asgjë hiç, kurrfarë ndihme s’kemi, shpresojmë në të ardhmen, meqë është ndërruar kryetari i komunës dhe tash është Bedri Hamza, shpresojmë se ndoshta i bie në mend dhe vjen na viziton ndonjëherë këtu në lagje dhe inshallah do t’i shtymë përpara problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti ynë… Po normal, më mirë me pas njeri muzikë se me qenë i sëmurë, bile vetes i jep shpresë”, u shpreh Hajdini.

Në anën tjetër, po të shikosh raportet e policisë në Mitrovicë, kupton se kjo lagje është një ndër zonat më të qeta, sa i përket rendit e sigurisë publikë.

“Është një zonë bukur e dendur për nga numri i banorëve, por që marrë parasysh numrin e rasteve apo incidenteve të cilat raportohen, nuk është zonë që mund të theksojmë diçka të veçantë. Pra, mund të konsiderojmë lirisht se është një nga zonat më të qeta sa i përket rendit dhe sigurisë publike”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Reportazhi u publikua nga Kosova Press/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re