Ministri i Brendshëm Taulant Balla mori pjesë sot në festimet përkujtimore për 79-vjetorin e ditës së çlirimit të Fierit.

Në fjalën e tij ministri Balla e vlerësoi këtë datë si një moment të rëndësishëm historik, jo vetëm për Fierin, por për gjithë luftën antifashiste nacional-çlirimtare, e paguar me gjakun e e dëshmorëve.

“Në këto 30 e kusur vite ka patur përpjekje për të hedhur baltë mbi këtë moment, nga politikanë apo lapsaxhinj, por e vërteta është se lufta antifashiste nacionale-çlirimtare mbetet një moment tepër i rëndësishëm, sepse Shqipëria ishte ndër të paktat vende që çliroi hapësirën e vetë përmes një luftë heroike të partizanëve shqiptarë”, u shpreh Balla.

I pyetur nga mediat për Samitin e datës 16 tetor që mbahet në Tiranë, ministri i Brendshëm tha se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart se sot, për shkak të pozicioneve të rëndësishme që ka marrë në arenën ndërkombëtare.

“Po përmbyllim 2 vite në Këshillin e Sigurimit në OKB, kemi patur Presidencën e OSBE. Është hera e parë që Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet jashtë vendeve të BE, e fakti që Shqipëria u zgjodh nuk është rastësi, por meritë e qeverisë shqiptare e kryeministrit Rama. Shqipëria renditet në pararojën e vendeve të BP, përsa i përket ecurisë drejt BE. Jemi gati për të mbajtur konferencën e dytë qeveritare mes Shqipërisë dhe BE, ndërkohë që kemi përfunduar procesin ‘screening’ në një sërë grup kapitujsh”, nënvizoi ai.

Ministri kërkoi që edhe Bashkimi Europian t’u qëndrojë angazhimeve dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor në projekte zhvillimi dhe përshpejtojë rrugën e afrimit të këtyre vendeve me BE.

“Lajmi i mirë që vjen nga Samiti është që vendet e BP do të jenë pjesë e një sërë procesesh të rëndësishme të zhvillimit të kësaj hapësire që është gjeografikisht në Europë, por të jetë edhe politikisht përmes përshpejtimit të procesit të anëtarësimit. Konteksti gjeopolitik pas luftës në Ukrainë, apo edhe brenda BP pas situatës në veriun e Kosovës, sulme të cilat Shqipëria i ka dënuar ashpër, duhet të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit, si një zgjidhje për stabilitet në rajon. Shqipëria qëndron pranë Kosovës dhe mbështet anëtarësimin e saj në BE dhe struktura të tjera euro-atlantike. Rruga e këtij procesi kalon përmes koordinimit të vazhdueshëm, të përditshëm, me vendet që e bënë të mundur pavarësimin e Kosovës. Pa SHBA dhe BE ky proces nuk do kishte ndodhur”, deklaroi Balla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re