Në Tiranë kishte sot një atmosferë të gëzuar, me rastin e vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Në mikrofonin e Zërit të Amerikës ata shprehen optimist se vizita e Sekretarit Blinken do të forcojë më tej bashkëpunimin dhe miqësinë shqiptaro-amerikane, si dhe do të shtojë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ne jemi proamerikanë, ndaj dola ta pres dhe ta përshëndes sekretarin Blinken. Do të doja që ashtu si kanë punuar në SHBA Fan Noli e Faik Konica shumë shqiptarë të tjerë, ashtu është e mira që të punojmë edhe këtu, të vijnë të investojnë në Shqipëri dhe ta zbukurojnë siç po zbukurohet. Jemi proamerikanë dhe mezi po pres ta shoh e ta përshëndes zotin Blinken në Shqipëri”, thotë qytetarja Mira Xhani.

Ndërsa qytetarët e mbledhur pranë kryqëzimeve u shprehën optimist për thellimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-amerikane.

“Ne shqiptarët jemi me fat që kemi miq SHBA-të. Dy miqtë më të ngushtë të Shqipërisë janë ky diell i shkëlqyer dhe SHBA-të. Ditë më të mira do të vijnë. Duke patur një besim të plotë me veten tonë dhe të mbështetur nga SHBA-ja, ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët kudo ku janë në Shqipëri dhe në vende të tjera”, thotë pensionisti Ylli Ali.

Qytetarët pohojnë për Zërin e Amerikës se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë në një nivel të shkëlqyer aktualisht, ndërsa kujtojnë mbështetjen e madhe të SHBA-ve në përpjekjet e Shqipërisë për liri dhe demokraci, dhe tani përsëri besojnë që falë përkrahjes amerikane, Shqipëria do të arrijë ndryshime të tjera në rrugën e integrimit si një vend europian.

“Është një kënaqësi e madhe kjo vizitë dhe do të kisha shumë dëshirë që të mund të isha më afër dhe ta përshëndesja me një flamur Sekretarin Blinken. Njerëzit kërkojnë që të jenë sa më të lirë, të kenë kushte sa më të mira, megjithatë tani ka shumë ndryshime, edhe me mbështetjen e SHBA-ve”, thotë qytetarja Miranda Shabanaga.

Kryeqyteti ishte mbushur me flamuj amerikanë dhe shqiptarë, ndërsa qytetarët ishin mbledhur nëpër kryqëzime rrugësh për ta përshëndetur këtë vizitë.

“Do të ketë ndryshime patjetër në cilësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për Kosovën, për Ballkanin perëndimor. Aq më tepër që jemi para realizimit të ëndrrës tjetër, që është integrimi në Bashkimin Europian”, thotë qytetari Luan Shehaj.

Qytetarët vlerësuan miqësinë e hershme të SHBA-ve për Shqipërinë prej më shumë se 100 vjetëve, kur e shpëtuan nga copëtimi i mëtejshëm, duke këmbëngulur për vetvendosjen e kombeve të vegjël, një miqësi që vazhdon të jetë e sigurtë dhe të japë fryte për ta.

“SHBA-të janë shteti më demokratik dhe ne e duam Amerikën, se ajo na shpëtoi nga copëtimi i plotë. Këtë Shqipëri e kemi nga Amerika. Ja pse ne jemi proamerikanë dhe e duam Amerikën dhe Amerika na do po ashtu”, thotë qytetari Klement Xhani.

Shëtitorja Dëshmorët e Kombit, ku janë selitë e institucioneve kryesore të shtetit shqiptar, ishte zbukuruar me flamuj të Shqipërisë dhe të SHBA-ve, ndërsa në korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në ekrane elektronikë më tej ishin vendosur fotografi të Sekretarit Blinken, që uronin atij mirëseardhjen në Shqipëri./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re