Kandidati i PD-ASHM për 11 majin në qarkun e Durrësit, Ndrec Pjetri foli mbrëmjen e sotme në emisionin Log të News 24.
Pjetri theksoi se sot gjendemi në kushtet e një regjimi, ndaj të cilit sipas tij duhet të shkëputemi më 11 maj.
“Origjina ime është Mirdita. Që i ri jam marrë me këtë punë. Pas moshës 18 vjeç kam qenë në PD. Fushatën e parë e kam bërë në 2011. Që në 2014 dhe deri më sot fushatën në Durrësi i bëj si drejtues i lartë i PD në Durrës. Më 2018 kam qenë kryetar forumit rinor të Durrësit. Zgjedhjet e fundit kam qenë koordinatori i Spitallës.”
Pjetri tha se kjo nuk është një fushatë mes PD dhe PS, por për të ardhmen e Shqipërisë.
“Ajo që ne kemi para është vetëm një qëllim, 11 maj qeveria Rama rrëzohet. Është nevoja e padiskutueshme për vendin. Kjo fushatë nuk është PD dhe PS. Është çfarë do jetë Shqipëria. Këtu janë kushtet e një regjimi. Të shkosh në një biznes, kanë frikë të shprehen. Kjo fushatë përcakton të ardhmen e këtij vendi. Fatkeqësia më e madhe që ndodh sot nuk po ikin më njerëzit në nevojë, por po ikin dhe njerëzit me të ardhura të mira. Shkollim, shëndetësi, punësim nuk ka në këtë vend. Nëse nuk ndodh tani për 4 vjet nuk do ketë më të luftoj Ramën në këtë vend.”
Më tej shtoi se në fushatën e tij të nëntë elektorale, kërkon fitoren e tij të parë për të ndërtuar një vend ku fëmijët të rriten këtu.
“Ajo që përfaqësoj më mirë, është modeli që qëndroj fort te ajo që besoj. Kjo është fushata e 9 që bëj. Të tetë të tjerat i kam humbur. Por kjo nuk më ka ndaluar. Kërkoj të ndërtoj një vend ku fëmijët e mi të rriten këtu.”