Kjo është java e pikut të koronavirusit në Shqipëri dhe në javën e tretë të prillit vendi ynë pritet të ketë rënie të ndjeshme të rasteve me COVID-19.

Kështu deklaroi mjeku i njohur Pëllumb Pipero në një lidhje live me skype për News24.

Rastet e shumta të të shëruarve nga mjekët shqiptarë, tha Pipero, tregon se ata po e përballojnë me sukses situatën.

“Në fillim të javës së tretë të prillit do të bjerë. Shpresojmë të ketë edhe lehtësim për të kthyer frymëmarrjen e ekonomisë. Piku për ne është kjo javë. Ende nuk dihet me saktësi, por unë besoj kështu. Deri tani e kemi përballuar më së miri situatën. Pritshmëritë për rastet e shëruara janë tejkaluar”, tha Pipero.

Mjeku i njohur rikujtoi edhe njëherë se askush nuk është imun ndaj koronavirusit, ndaj bëri apel për kujdes dhe respektim të masave.

“Ky virus i prek të gjithë nuk bën përjashtime, pavarësisht se sa komplikacione jep. Masat duhen respektuar nga të gjithë”, tha Pipero.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re