Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Presidenti Aleksandër Vuçiç tha për mediat në Beograd se nuk mund të mbahet i fshehtë një fakt i tillë.

“De facto ose de jure. Kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon një gjë të tillë”, tha Vuçiç.

Kreu i shtetit serb ka deklaruar më tej se qytetarët por edhe anëtarë të qeverisë së tij janë të ndarë në mendime sa i takon njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit në BE.

“Nuk kemi pajtim për këto çështje. Sigurisht që nuk kemi. Një pjesë mendojnë se Kosova duhet të dorëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që Serbia të ketë më shumë përfitime. Ndërsa të tjerë thonë se ‘Kosova dhe Metohia’ duhet të mbrohet me çdo kusht”, shtoi presidenti serb.

Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë të vetmet shtete në rajon që nuk e pranojnë ende pavarësinë e Kosovës.

Njohja është e pjesë e marrëveshjes që Beogradi dhe Prishtina kanë pranuar në parim, por edhe kushti kryesor që Brukseli i ka vendosur Serbisë për tu anëtarësuar në union.

Deri më tani, qeveria e presidentit Vuçiç e cila sapo fitoi një tjetër mandat, pavarësisht se ka rënë dakord për marrëveshjen e Ohrit nuk e ka pranuar njohjen e Kosovës./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re