Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Besnik Tahiri thotë se vendi i tij është me fat pasi gëzon një mbështetje të madhe nga deputetët shqiptarë.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka ndarë disa foto nga Asambleja e Këshillit të Evropës, ku deputetë shqiptarë që  vijnë nga 4 parlamente të ndryshme janë unifikuar në një qëndrim.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por edhe Suedia që përfaqësohet nga Adnan Dibrani me origjinë nga Mitrovica mbështesin kauzën e Kosovës në formën më të fuqishme.

“Jemi një! Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka një unifikim mbarshqiptar të deputetëve që vijnë nga katër parlamente të ndryshme, e që janë anëtare në këtë institucion.

Delegacioni i Shqipërisë, Blerina, Klotilda, Jorida, Luli dhe Etilda janë gjithmonë afër nesh, pa dallim pozitë dhe opozitë. Në Strazburg kolegë tanë deputetë nga Shqipëria nuk kanë asnjë dallim dhe e mbështesin kauzën e Kosovës në formën më të fuqishme.

Po ashtu, një mbështetje e madhe vjen edhe nga Arta, deputete nga Maqedonia e Veriut, e cila çdo kund e mbështetë kauzën tonë për anëtarësim.

Adnan Dibrani, deputet i Parlamentit të Suedisë, i lindur në Mitrovicë është një zë i fuqishëm, edhe te grupi i tij politik, por edhe te kolegët e tij deputetë që vijnë nga vendet skandinave.

Si Kosovë, jemi me fat që e kemi një mbështetje kaq të madhe nga deputetët shqiptarë, të cilët tani kauzën më të madhe në këtë institucion e kanë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në këtë institucion”, shkruan Besnik Tahiri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re