Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë Andrej Plenkoviç deklaroi se ka diskutuar me homologun kroat për ngritjen e një grupi pune mes ministrive të energjisë për të adresuar temën e gazsjellësit.

Rama lajmëroi se qeveria kroate ka vendosur vendosur financimin masiv të ndërtimit të korridorit adriatiko-jonian nga ana e saj.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ka informuar qeverinë kroate se vendi ynë është në procesin e lidhjes së kontratave për pjesën kryesore të segmenteve të këtij korridori.

“Kemi riprekur temën e një sektori të rëndësishëm strategjik siç është energjia, e kombinuar edhe me infrastrukturën sepse së bashku me Kroacinë jemi pjesë e të njëjtit plan për korridorin Adriatiko-Jonian. Kryeministri na ka informuar që qeveria kroate ka vendosur financimin masiv të ndërtimit të Korridorit nga ana e Kroacisë. Unë e kam informuar Kryeministrin se ne njëkohësisht jemi në procesin e lidhjes së kontratave për pjesën kryesore të segmenteve të këtij Korridori dhe patjetër, kemi diskutuar  për se si duhet ta përfshijmë edhe Malin e Zi në këtë proces.

Njëkohësisht kemi diskutuar konkretisht për ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes ministrive të Energjisë  për ta adresuar temën e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, ku ka ardhur koha që t’i bashkojmë potencialet, tw bashkojmë dijen, të bashkojmë idetë dhe të paraqitemi me një ofertë të unifikuar në funksion të investimit për këtë korridor kaq të rëndësishëm energjetik, jo vetëm për rajonin por edhe për Evropën.”, tha kryeministri shqiptar.

Nga konferenca, Rama theksoi gjithashtu se pozicioni i dy vendeve në raport me agresionin rus në Ukrainë është 100 përqind i njëjtë. Kryeministri preku edhe Samitin e Berlinit që pritet të mbahet këtë muaj në Tiranë. Ai deklaroi se nga ky samit do të ketë të reja të rëndësishme dhe se kryeministri kroat do të jetë pjesë e këtyre punimeve.

“Së bashku me Kroacinë ne jemi anëtarë të komunitetit Euroatlantik , anëtarë të NATO-s dhe ne jemi në pozicione 100% të njëjta, në raport me agresionin rus në Ukrainë, si edhe me domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve në rajon dhe të një rajoni të qëndrueshëm në çdo aspekt dhe për këtë arsye kemi prekur edhe këto tema siç e tha edhe kryeministri.

Dua të prek edhe temën e samitit të Berlinit në Tiranë ku Plenkoviç do të jetë i pranishëm dhe që është një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi dhe një zë i rëndësishëm i gjithë rajonit tonë.  Në këtë samit do të kemi disa të reja të rëndësishme për ecurinë e rajonit në rrugën e afrimit me BE.”, tha Rama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re