Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në emër të të gjithë kolegëve anëtarja e KED-së Vitore Tusha e ka falenderuar ambasadorin për mbështetjen e dhënë deri tani si dhe e ka njohur me disa nga problematikat që ka ky institucion. Nga ana e tij ambasadori britanik vlerësoi Reformën në Drejtesi por theksoi që të bëhet progres dhe kjo reformë të çohet përpara duke plotësuar sa më shpejt vakancat në Gjykatën e Lartë.

Njoftimi i plotë: Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Z. Duncan Norman, është takuar të enjten datë 09.07.2020 në Gjykatën e Lartë, me disa nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në emër të të gjithë anëtarëve të këshillit, Zj. Vitore Tusha ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për asistencën e deritanishme të dhënë nga Britania e Madhe në mjaft sektorë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.

Zj. Tusha e njohu ambasadorin Norman me problematikat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre viteve të krijimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe theksoi angazhimin maksimal të anëtarëve të tij, si gjatë vitit 2019, kur ky këshill vendosi themelet e një procesi shumë të rëndësishëm kushtetues, atë të përzgjedhjes së anëtarëve të parë në Gjykatën Kushtetuese. Procesi për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit ligjor, dhe për këtë arsye, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, KED 2020 ka marrë të gjitha masat për përfshirjen e tyre në aktet rregullatore të KED.

Gjatë takimit Ambasadori Norman u shpreh se reforma në drejtësi është një moment shumë i rëndësishem për Shqipërinë, proces i cili duhet të çohet deri në fund. Ambasadori britanik theksoi se KED për nga natyra e vet ka patur gjithmonë vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke shprehur me këtë rast mbështetjen e tij publike dhe personale në ndihmë të këtij këshilli.

Norman vlerësoi angazhimin i këshillit për të reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, në mënyrë që procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të ndodhë sa më parë. Njëkohësisht gjatë takimit Ambasadori Norman shprehu vullnetin për vijimin e asistencës së Britanisë së Madhe në drejtim të organeve të drejtësisë në Shqipëri, në çdo kohë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re