Presidenti i Burkina Fasos dha dorëheqjen të hënën, disa orë pasi junta ushtarake mori pushtetin nëpërmjet një grushti shteti.

Në letrën e tij të shkruar me dorë drejtuar administratës së re të juntës, Roch Marc Christian Kabore ka thënë se pas ngjarjeve të ndodhura që nga e diela, ai ka vendosur të japë dorëheqjen nga të gjitha detyrat e tij për interesin më të mirë të shoqërisë.

Letra është shpërndarë nga shumë llogari në rrjetet sociale.

Ushtarët kryengritës deklaruan një grusht shteti të hënën, duke njoftuar një sërë masash, duke përfshirë mbylljen e kufijve të vendit të Afrikës Perëndimore.

Koloneli Paul Henri Sandaogo Damiba doli drejtpërdrejt në televizion me anëtarë të tjerë të grupit, i cili e quajti veten Lëvizja Patriotike për Mbrojtje dhe Rivendosje, duke thënë se ata vendosën t’i “japin fund pushtetit” të presidentit Kabore për shkak të “përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë”.

– Ndalimi i Kabores

Deklarata erdhi pas raportimeve të më hershme për ndalimin e Kabores në një kamp ushtarak nga një grup ushtarësh, ndërsa presidenti u bënte thirrje oficerëve të dorëzoheshin për interesat më të mira të kombit.

Sipas burimeve të sigurisë dhe raportimeve të shumta të mediave, Kabore u arrestua pasi u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në disa kazerma në kryeqytetin Ouagadougou të dielën.

Interneti mbetet kryesisht i ndërprerë në gjithë Burkina Fason, sipas organit të monitorimit të internetit NetBlocks.

Një grup njerëzish dolën gjithashtu në rrugë dhe sulmuan zyrat e partisë në pushtet Lëvizja Popullore për Progres.

Pas konfirmimit të grushtit të shtetit, aktivitetet arsimore në vend u pezulluan për dy ditë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re