Ish-portieri i njohur beratas, Bledar Dura, ka folur eksk luzivisht për “Panorama Sport” për skuadrën e vendlindjes, Tomorin. Ai ka luajtur edhe me Besën për 6 sezone, duke dituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Dura thekson se futbolli beratas duhet shkëputur njëherë e mirë nga bashkia, ndërkohë që nuk mungojnë akuzat e forta për ata që e drejtojnë Tomorin.

bledar dura

KRITIKAT – “Nuk e kam asnjëherë problem të flas hapur, edhe pse e di se zërin kritik në Berat gjithnjë janë përpjekur ta mbysin njerëz që më shumë janë duke e “mjelë” sportin dhe aq më shumë futbollin. Futbolli në Berat po vuan pambarimisht për sa kohë mungon privatizimi. Rezultatet më të larta futbolli beratas i ka pasur sa herë që ka pasur president, sa herë është investuar nga biznesmenët beratas. Me bashki nuk ka as sport, as rezultat dhe as emocione. Për 15 vitet e fundit jepen nga 250 deri në 360 milionë lekë në vit dhe rezultati është ky, 4 herë në Kategorinë e Dytë, dy pjesëmarrje në Superiore dhe shumë shfaqje të shëmtuara në Kategorinë e Parë. Si ka mundësi të investohen mbi 300 milionë lekë në vit për të qëndruar në të Parën? Si ka mundësi që asnjëherë nuk kërkohet llogari dhe si ka mundësi që një fushë në qendër të qytetit, që unë i pari dola në protestë dhe e mbrojta të mos prishej tani qëndron në mëshirë të fatit?”, thotë Dura fillimisht.

STRATEGJIA – “Problematika është më e madhe, kur shikon që ka mungesë investimi prej vitesh te moshat. Shikoni rezultatet dhe do bindeni, vetëm U-17-a në të Parën, po ekipet e tjera ku janë? Mungon strategjia në futbollin beratas prej vitesh sepse drejtuesit e klubeve janë zyrtarë bashkie dhe partiakë fanatikë, ku punësimet dhe emërimet prej vitesh janë mbi bazën e anëtarësisë në një parti politike. Në Berat ka ndodhur që stafin një trajneri ia cakton bashkia. Pse nuk merret si shembull puna që kryhet tek Apolonia me moshat. Qindra miliona lekë në vit që jepen për një skuadër pa objektiva mund të investohen tek ekipet e moshave dhe tek ish-fusha e vjetër. Po të privatizohet klubi, Tomori do ketë njerëz profesionistë dhe jo anëtarë partie. Në Berat urgjentisht duhet kthyer vëmendja te moshat, të mos na ikin talentet për një copë buke, siç ka ndodhur deri tani”, thekson më tej ishportieri.

Tomori

KAMPIONATI I RI – Dura më pas jep një mendim edhe për kampionatin e ri. “Do ta vlerësoja shumë të fortë Grupin B, pasi aty bëjnë pjesë skuadra të njohura. Për sa kam informacion, them se skuadrat pa president do ta kenë të vështirë ngjitjen, pasi dihet shumë mirë si funksionon gara. Shikoj Besën si skuadrën më të fortë, jo vetëm se ka kryer investime, por edhe se presidenti Bizhdili këtë sezon do të kërkojë me çdo kusht ngjitjen. Pastaj vlerësoj Egnatian që ka investuar fuqishëm dhe ka një trajner shumë të aftë e ambicioz si Magani. Egnatia, Tomori dhe Flamurtari do të rivalizojnë deri në fund për vendin e dytë. Tomori ka bërë shumë afrime dhe tradita do të luajë rolin e saj. Është pozitiv fakti që ka një trajner shumë punëtor si Sinella. Shpresoj që skuadra të ambientohet shpejt me këtë kategori, por edhe përforcimet të rezultojnë efikase. Do të dëshiroja shumë që Tomori dhe Besa të ngjiten në Superiore. Dua të shikoj në fushë Tomorin që të luajë në nivelin e traditës së tij, agresiv dhe imponues ndaj kundërshtarit”, ka përfunduar Dura.

EDI SPAHIU/ PANORAMA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re