Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar të dhënat statistikore në lidhje me shpërndarjen e kestit të parë të asaj që u quajt “paga e luftës” për bizneset që mbyllën aktivitetin për shkak të koronavirusit.

Kësti i parë u shpërnda për 9 506 punonjës, ndërsa në proces verifikimi janë ende 1 195 persona, të cilëve iu është miratuar ndërkohë paga.

Tatimet bëjnë me dije se në total u është miratuar “paga e luftës” për 6 mijë e 273 biznese dhe 10 mijë e 701 punonjës.

Të ndara në rrethe, mësohet se në Tiranë është miratuar paga për 4 174 punonjës, një Korçë 1 253 punonjës, në Durrës 1 037 punonjës dhe Lezha me 206 punonjës.

Gjithashtu, mësohet se nga data 1 prill deri më datë 5 prill kanë aplikuar 36 mijë e 419 biznese, numri më i lartë i aplikimeve ka qenë në 2 prill ku kanë aplikuar 12 mijë e 826 biznese, ndërsa numri më i ulët i aplikimeve ka qenë më 5 prill me vetëm 2 mijë e 223 aplikime.

Deri më tani janë verifikuar 24% të punonjësve që kanë aplikuar për pagën e luftës dhe 76% janë në proces verifikimi, ndërsa iu është refuzuar aplikimi 7.512 punonjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re