Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte përfaqësues të bankave të nivelit të dytë në vendin tonë, të cilave iu kërkon revolucion dixhital, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata të qytetarëve dhe sipërmarrësve në dyert e institucioneve bankare.

Rama tha se njësoj siç kanë kaluar të gjitha shërbimet online, do të duhet të punojnë edhe bankat.

“Prej Majit nuk ka më sportele, të gjitha shërbimet ofrohen online, konkretisht më shumë se 1200 shërbime, që aplikohet dhe përgjigja merret po online, mbeten fizikisht ende 5% e shërbimeve. Për fat të keq në të njëjtën kohë merr një renditje shumë të ulët sa i takon e -comerce. Sa i takon bankave ne jemi të fundit në rajon, se në pjesën tjetër po se po.

Duhet të jemi shumë realistë, kjo është një mospërputhje shumë dramatike, me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar, dhe me vetë qendrueshmërinë e një sistemi bankar të konsoliduar dhe shumë profesional. Radhët në dyert e bankave që në sabah, me njerëz që i orienton një roje aty jashtë, nuk janë ngjarje të përditshme të kontinentit ku jetojmë.

Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin për shërbimet online, duke lënë pas dhe shtete shumë të zhvilluara, këtë mundësi ta jep teknologjia, dhe nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimin online të bankave.

Çdo datë 14 ndërmarrjet shkojnë në banka për TVSH, në 20 për sigurimet shoqerore, një ritual që besoj se nuk e keni as ju mirë që e keni te dera. Është një imazh që nuk është i denjë as për vite e vite të shkuara. Qytetarët derë më derë të bankave”, u shpreh Rama.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re