Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në inaugurimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, tha se shënon një kapitull të ri të mbrojtjes së vendit dhe rajonit.

Begaj kujtoi sulmin në Banjskë, ndërsa tha se ishte një dëshmi se sa e brishtë është siguria në rajon dhe se ka ende aktorë lokalë që duan të projektojnë të ardhmen nëpërmjet të kaluarës.

Prandaj, shtoi kreu i shtetit, duhet të jemi gjithmonë gati.

“Jetësimi i Bazës së Kuçovës shënon një kapitull të ri të mbrojtjes së vendit dhe rajonit. Është rezultat i bashkëpunimit me aleatët dhe vëmendjes së Shqipëria i kushton paqes. I shpreh mirënjohjen aleatëve të NATO-s, veçanërisht aleatit tonë strategjik, Amerikës, për kontributin që na kanë dhënë.

Baza ajrore taktike e NATO-s, simbolizon një urë kur e shkuara dhe e tashmja bashkohet për një të ardhme më të sigurt. Tregon angazhimin tonë për të mbrojtur vendin dhe parimet dhe vlerat demokratike. Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht, kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që NATO ka te Shqipëria.

NATO përmes këtij investimi tregon se Shqipëria ka një vlerësim për aleancën. Ky investim merr rëndësi të veçantë në kushtet kur siguria në hapësirën euro-atlantike është e rrezikuar. Sulmi në Banjskë tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë, ku ka ende aktorë lokalë që mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare që nuk kthehet më. Duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten“, tha presidenti.

Fjala e plotë e Presidentit:

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s,

Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA,

Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar.

NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.

Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite.

Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike.

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë.

Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit.

Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë.

Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri.

Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë.

Të nderuar të pranishëm,

NATO feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria 15-vjetorin e anëtarësimit. Nuk ka më mirë që këta përvjetorë të festohen me investime të tilla të rëndësishme.

Kjo  bazë, si dhe angazhimi ynë në NATO,

është investim në mbrojtjen e vendit tonë,

është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas nesh,

është dëshmi e përkushtimit tonë për të punuar së bashku me aleatët tanë për të ndërtuar një botë më të sigurt për të gjithë.

 

Ju faleminderit!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re