Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij ka komentuar shkuarjen e Serbisë sërish në zgjedhje, duke e sjellë si shembull, që sipas tij duhet të kishte ndodhur dhe në Shqipëri e njëjta gjë.

Berisha tha se në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë, vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin.

LEXO EDHE: Partitë opozitare pretendojnë se votat u vodhën nga Vuçiç, Beogradi do të futet sërish në zgjedhje

“Në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë, vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju misionarëve të shpresës.

Mirënjohje të pakufishme për protestën tuaj të përnatshme.

Mirënjohje të pakufishme oratorëve të shkëlqyer, për mesazhet që japin nga parlamenti i fjalës së lirë për mbarë shqiptarët.

Miqtë e mi!

Ne jetojmë në një emergjencë, në një gjendje në të cilën të këqijat që gllabërojnë qenien tonë, pasuritë tona, rriten nga ora në orë, sepse regjimi i Edi Ramës, regjimi kriminal bëhet çdo orë dhe çdo ditë më i pamërishë ndaj shqiptarëve.

Vendi, çdo orë dhe çdo ditë varfërohet nga vjedhjet e qeveritarëve.

Ndaj dhe çdo orë dhe çdo ditë aksioni ynë pa kthim, beteja jonë pa kthim, mosbindja civile bëhen më emergjente më jetike, për fatin e Shqipërisë.

Ju lutem, mendoni për një moment, çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shqipëri.

A nuk ishin ato zgjedhjet më të pabarabarta ndonjëherë në histori.

A nuk u zhvilluan ato zgjedhje në kushtet kur njëra palë me 61 kandidatë mori disa milionë euro financime shtetërore.

Kurse pala tjetër, kundërshtare dhe armike nuk mori asnjë qindarkë.

Kryetarit të saj nuk ju regjistrua emri.

Ju ndryshua qendra e votimit 1.3 mln votuese, megjithatë vazhdojnë kryetarët e zgjedhur mbi krimin të qeverisin Shqipërinë në të katër anët.

Të dashur miq!

Dy muaj më parë, zgjedhje u zhvilluan në Beograd, Serbi. E vërteta Vuçiçi dhe Rama nuk pranojnë kurrë votën e lirë.

Por megjithatë dua të ju them këtu se në rezultatin e përgjithshëm diferenca mes opozitës dhe qeverisë serbe ishte 71%, 19 për qind kishte opozita serbe.

Në Shqipëri 40 për qind mori opozita pa financime, pa komisionerë, pa logo.

Miq!

Në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë, vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin. Kjo është padrejtësi.

Absolutisht e kam deklaruar dhe e deklaroj 100 herë se Aleksandër Vuçiç meriton të shkojë në Hagë si doktrinar gjenocidi, se ai përfaqëson një Putin të vogël, por vota e serbëve nuk është më e rëndësishme se vota e shqiptarëve.

Pse e solla këtë shembull.

E solla sepse po nuk u ngritëm vetë, po nuk morëm fatin tonë në duart tona, nuk kemi pse të presim nga askush, përveç se vetja jonë”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re