“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në fshatin Kamiçan të Elbasanit.
Është një histori e pabesueshme ajo rrëfehet nga 7 fëmijët jetimë të
familjes Muça. Pranvera Muça, 45 vjeç, ka humbur bashkëshortin dy vite
më parë. Ajo është nënë e shtatë fëmijëve më i madhi është Ismaili 21
vjeç, më të voglat janë binjaket Kela dhe Klestia 10 vjeç. Jetonin në
një shtëpi shekullore mbi 100-vjeçare. “Shtëpia mu shemb”, thotë
Pranvera.

“Në ndërtuam këtë çadrën, këtu jetojmë tani pasi ra çatia tek
shtëpia. Që nga janari këtu jetoj. Çdo ditë i shkoj tek varri babit i
them pse na le vetëm? Mami është sëmurë, i them Zotit merre veten time
më merr mua”, thotë 15-vjeçarja Xhuljana.

“S’kemi shtëpi, kur bie shi ne lagemi brenda. Me merr malli për
babin, më merr malli ta shikoj”, thotë në lot 10-vjeçarja. “Na ka marrë
malli shumë për babin, na porosiste mos ta linim shkollën, se na duhet,
është e rëndësishme”.

Pranvera rrëfen se drejtori i shkollës 9-vjeçare i lajmëroi të merrte
vajzën me urgjencë nga shkolla. I kishte rënë të fikët në orën e
mësimit pasi nuk kishte ngrënë ushqim. Mamaja dhe vajza e madhe janë të
sëmura, vuajnë nga veshkat me zemra, kanë bëre vetëm një vizitë tek
mjeku por s’kanë pasur mundësi të blejnë as ilaçet.

“Hajde merre vajzën, se ka ardhur pa bukë në shkollë, më thanë. E
mora e vizitova, e kam sëmurë”. Fëmijët i luten Zotit të shërojnë të
ëmën dhe motrën e sëmurë. “I lutem Zotit mos të na marri dhe mamin të
mbetemi fare jetimë”.

Ushqimi që konsumojnë e mbajnë frymën gjallë janë hithrat e ziera,
lakrat e egra apo pak spinaq që ndodhet në natyrë. Pranvera merr një
tigan të vogël nga çadra hedh pak lakra e një kokërr vezë. Një pjatë me
salcë dhe tigani i vogël më një vezë është vakti i tyre i zakonshëm.
Është ushqimi për 7 frymë. Vetë Pranvera nuk ulet me fëmijët, pak më
tutje loton e zemra i dhemb.

“Mërzitemi shumë kur nuk ka bukë, ikim në shkollë ashtu. Kthehemi nga
shkolla, fillojmë detyrat, vetëm bukë me salcë hamë, nuk hamë gjellë të
tjera. Vetëm me salce e lyejmë bukën ne”, thotë me ngashërima
10-vjeçarja.

“Kur zgjohen në mëngjes fëmijët më thonë, a ka bukë thatë? Kur nuk ka
ikin të pangrënë, nuk kam çfarë t’u jap me vetë të hanë në shkollë. Ca
të bëj? Vjet më dhanë misër. Tre muaj e bëra bukë, pastaj mu mbarua.
Fillova t’u zvogëloj kafshatën kalamajve, bukën o bir. Nuk ka më keq,
rri e rri djali shtrëngon rripin e pantallonave se i dhemb barku se nuk
ha bukë. Është krim. Në këtë çadër do na hidhet egërsira e do më shqyejë
fëmijët, nuk kam fuqi më, vetëm rroj me shpresën që më japin fëmijët.
Dua që fëmijëve t’u qeshi buza”, thotë Pranvera, e ëma.

Dëshirat e fëmijëve janë bazike, duan t’u shërohet e ëma, duan një
shtëpi të fusin kokën. Fjalët mezi i nxjerrin nga lotët. Dikush do të
bëhet doktor, vajza do të bëhet infermiere të shpëtojë njerëzit. “Nuk
kam kushte të bëhem, por shpresën nuk do ta humb, do mësoj. Dua të kem
një shtëpi, mërzitemi shumë, në shi lagemi, nuk jetohet këtu” thotë
vajza. “Ndoshta do mendojnë njerëzit për ne, të jemi të lumtur”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re