Nuk është hera e parë që Kisha në SHBA gjendet e përçarë nga brenda sa i përket gjykimit mbi politikën amerikane, veçanërisht mbi figurën e presidentit Donald Trump.
Por fakti që revista kryesore e jezuitëve katolikë amerikanë, “America Magazine”, sulmon hapur Shtëpinë e Bardhë duke e akuzuar për “armiqësi ndaj Kishës Katolike”, shënon padyshim një pikë krize të thellë sociale dhe politike, në mos një pikë pa kthim.
Sipas jezuitëve amerikanë, lufta në Iran, politikat ndaj migracionit dhe klima e përgjithshme e tensionit përfaqësojnë një “sulm” të mëtejshëm, madje një “luftë të shpallur kundër Kishës” dhe vlerave të saj.
Në artikullin e botuar më 19 mars nga Nathan Schneider, revista (e cila historikisht ka qenë shumë e afërt me Papa Françeskun dhe tani me papa Leonin) vlerëson se qeveria e Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më shumë në armiqësi direkte me vlerat kristiane dhe parimet ungjillore, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.
Imazhet e lutjeve brenda Shtëpisë së Bardhë dhe paraqitja e Trump-it si një “njeri i fatit” për të sjellë paqen në Amerikë, nuk po gëlltiten lehtë nga jezuitët.
Ata u bëjnë thirrje katolikëve amerikanë për reflektim, duke pretenduar se këta të fundit “nuk e kanë kuptuar plotësisht seriozitetin e konfliktit që po ndodh në SHBA”.
Sipas “America Magazine”, “kryqi dhe flamuri i SHBA-së nuk janë më në harmoni”. Akuzat e lëshuara nga një prej editorialistëve më të rëndësishëm të kësaj të përmuajshmeje janë të rënda.
Flitet drejtpërdrejt për një vend “të mbështjellë me rrobat e idhujve të vet, aq sa është i paaftë të dëgjojë profetët që ka nxjerrë Kisha”.
Ndonëse dialogu midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kishës Katolike (si asaj amerikane, ashtu edhe asaj në Vatikan) mbetet mjaft kompleks, një kanal komunikimi ekziston përmes Zëvendëspresidentit J.D. Vance, i konvertuar në katolik dhe i vetmi që ka takuar Papa Leonin XIV që nga fillimi i papatit të tij.
Ajo që i revolton katolikët amerikanë është përdorimi i citateve biblike për të arsyetuar politikat anti-migrim, si dhe “lufta parandaluese” e shpallur kundër Iranit në kuadër të përplasjes mes Izraelit dhe armikut të tij më të betuar në Lindjen e Mesme.
Revista e jezuitëve bën thirrje që besimtarët të refuzojnë thirrjet luftënxitëse të politikës dhe të dëgjojnë “thirrjen e dashurisë”. /tesheshi.com/



