Covid-19 nuk i ndali dot dasmat ndonëse përgjatë verës nuk munguan gjobat e shumta të vendosura nëpër lokale ku janë konstatuar dasma dhe muzikë pas orës 20.00. Për disa nga këto dasma për të cilat policia ka mbyllur një sy dhe një vesh duke u shtirur sikur nuk ka parë gjë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (ShÇBA) ka nisur verifikimet.

Një burim tregoi se nën verifikim janë komisariatet që mbulojnë periferinë e kryeqytetit atje ku edhe vëmendja është më e paktë e duket se ahengu ka qenë më lirshëm. Një burim tregoi se madje një shef policie u pyet nga ShÇBA sëbashku me oficerët që ai dërgoi për të kontrolluar një ambjent menjëherë sapo salla operative i referoi në radio denoncimin anonim të një qytetari: “Tek lokal “E…” ka dasmë”.

Por rezulton se pas njoftimit shefi i komisariatit në fjalë e delegoi ankesën tek një patrullë që hyri në restorantin E. dhe zhvilloi kontrolle. Policët filmuan sallën bosh dhe plot me pjatat me ushqim dhe treguan se nuk kishte asnjë dasmë dhe as muzikë të lartë. Shefi i komisariatit justifikohet se pronari e gënjeu duke deklaruar se ishte një festë e vogël që ishte anuluar.

Por..

Gjatë mbrëmjes nga një patrullim i ShÇBA u konfirmua me video dhe me oficerë të tjerë të cilët kishin kamera të vendosur në trup, se në ambjentin në fjalë jo vetëm që kërciste ahengu, por të katër sallat ishin plot me dasmorë që po festonin katër martesa të ndryshme. E njëjta situatë është vërejtur edhe në restorante të tjera gjatë muajit gusht në disa lokale dasmash që veç zhurmës së muzikës, patën edhe dasmorë “të padukshëm” për policinë të cilët festuan dhe uruan “me trashëgime”.

Në raport, sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, thuhet se policia mbylli sytë edhe në kompleksin “H…” ku një grua ka postuar në komisariatin digjital dasmat covidiane të filmuara prej saj me denoncimin: “plasi muzika, njerëzit festojnë pa të keq se kanë mbushur xhepat e shefave”. Pas shumë denoncimeve, ShÇBA shkruan: U vendosëm pranë resortit “G…” në distancë dhe këqyrëm veprimet e policisë për ndërprerjen e paligjshmërisë. Në orën 22.34 policia njofton në radio se aty nuk kishte dasmë. Në orën 23.22 kryem një telefonatë për muzikën, festën e dasmorëve dhe njoftimet në sallën operative. Këto veprime u administruat si prova”.

Ndërkohë që shkruhen si detaje të shkeljes së detyrës edhe plani i moszbatuar masave policore anti-Covid dhe plani i masave për monitorim dhe zbatimit të detyrimeve të akteve normative për pishinat dhe klubet e natës. “Pavarësisht se janë lënë detyra konkrete, këto detyra nuk janë zbatuar”, mbyll raportimin Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.(SI)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re