Kisha katolike u ka bërë apel krerëve të shtetit shqiptar që të ndalojnë me ligj glorifikimin e regjimit komunist. Në një letër drejtuar presidentit të republikës, kryetares së kuvendit dhe kryeministrit Edi Rama, konferenca ipeshkoreve u bën apel që të miratojnë një ligj që dënon krimin e apologjisë së komunizmit duke ndjekur shembullin e Italisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë ligje për të ndëshkuar ashpër fashizmin dhe nazizmin

 

DOM MARK PASHKJA

“Të gjitha këto aspekte pjesore apo raste në të cilat tentohet të bëhet njëfarë apologjia, do të thotë njëfarë mbrojtje ose njëfarë glorifikimi e lavdërimi i sistemit komunist, që ishte një prej sistemeve më gjenocidiale në Europën lindore duhet të ndalohet me ligj.”

 

Kisha katolike kërkon që në librat e historisë të shkruhet e vërteta në lidhje me diktaturën komuniste, kërkon shpalljen muze të burgjeve dhe vendeve ku janë torturuar shqiptarët, një dëmshpërblim të drejtë për ish-të përndjekurit politikë, si dhe rishikimin e ligjit për dekoratat që të shmanget vlerësimi i figurave të larta të diktaturës komuniste.

 

DOM MARK PASHKJA

 “Filozofikisht nuk ka dy të vërteta, ka një të vërtetë dhe e vërteta është që sistemi komunist, diktatura që kaloi Shqipëria ishte një nga më të tmerrshmet dhe la pasoja të padiskutueshme që i prekim edhe sot. Ne me këtë gjest dëshirojmë e tentojmë të jemi në njëfarë mënyre ndërgjegjja e papolitizuar e vendit tonë duke mos pasur asnjë interes tjetër atij dimensioni të së vërtetës që gjendet në AND e Kishës Katolike.” 

 

Kërkesat e kishës katolike nuk janë të reja në lidhje me nevojën për ndalimin e glorifikimit të diktaturës komuniste. Sa herë që në përvjetorë që lidhen me luftën e dytë botërore shfaqen simbolet komuniste, duke nisur nga  portretet e diktatorit Enver Hoxha tek nderimi me grusht,  shoqëria shqiptare përfshihet nga diskutime se si duhet të sillemi ne ndaj regjimit komunist.

 

Prej vitit 2017 Partia Demokratike ka folur për nevojën e një ligji që dënon me burg  ata që përdorin simbolet e komunizmit dhe vitin e kaluar e depozitoi një ligj të tillë në parlament, por ky ligj u harrua si dhjetëra nisma të tilla.

 

Në vitin 2015 klasa politike u përfshi nga një debat i fortë për shkak se drejtues të lartë të diktaturës komuniste, personazhe që kishin torturuar figura të njohura si, At Zef Pëllumbi përfituan nga dekoratat që u shpërndanë për 70-vjetorin e çlirimit të vendit.

 

Asokohe qeveria i tërhoqi dekoratat dhe vetë kryeministri propozoi një ndryshim ligjor që këto ngjarje të mos përsëriteshin, por sërish edhe ky ndryshim ligjor u harrua dhe nuk kaloi kurrë për miratim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re